Disa mbishkrime të cilat përqeshin kryesuesin e ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, janë shfaqur këtyre ditëve në murin e ndërtesës së Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“PROkunkuruRIA” dhe “PROntoKURORIA” janë dy mbishkrimet e vëna me ngjyra kuq e zi në mur.

Bahri Hyseni, i cili u zgjodh këtë javë në krye të KPK-së ka qenë protagonist në një nga përgjimet telefonike të aferës ‘Pronto’.

Në një bisedë telefonike me të, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i përmend një mundësi punësimi në bordin e KOSTT, por merr përgjigjen nga Hyseni se nuk kishte konkurruar fare për atë pozitë.