Pas rastit të rëndë të vrasjes së 18 vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, të hënën ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit për Siguri në Bashkësi me temën “Situata e përgjithshme e sigurisë në komunën e Podujevës’. 

Në nisjen e kësaj mbledhje, Këshilli mbajti një minutë heshtje në nderim të 18 vjeçarit, teksa u zotuan për parandalim të këtyre rasteve.

Ndonëse e konsideron Podujevën si qytet të qetë, Bulliqi thotë se rasti i fundit ishte tragjik dhe në bashkëpunim me institucionet tjera po punojnë ngushtë që raste të tillë t’i eliminojnë.

“Rasti fundit i vrasjes së Lulzimit vërtet na preku të gjithëve ishte një rast i rënd, sidoqoftë ajo që doli fatkeqësisht ky rast u përmbyll në mënyrë tragjike. Sigurisht që gjitha këto qe ne tashti po edhe të ardhmen do t’i diskutojmë do të jenë në kuptimin e mundësisë se marrjes se masa preventive me qellim të zvogëlimit të rasteve. Sigurisht ne si institucione lokale bashkë me Drejtorin e Arsimit por edhe më stacionin policor këtu në Podujevë kemi një bashkëpunim të ngushtë që raste të tillë t’i eliminojmë”, u shpreh Bulliqi.

“Ne e dimë që komuna Podujevës është prej komunave të mëdha përkundër këtij fakti kemi qenë një ndër komunat më të qeta. Deri tashti ja kemi dalë që bashkërisht t’i menaxhojmë këto problem mirë por rasti fundit ishte rast tragjik që na preku të gjithëve. Po e shfrytëzoj nga rastin që familjes së të ndjerit t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e djalit tyre. Ne kemi marr një varg vendime me stacionin policor duke siguruar zyrtarë policor të vëzhgojnë shkollat e mesme”, deklaroi Bulliqi./eo

 

Pas kësaj, kryetari Bulliqi ka kërkuar nga mediet ë ta lëshojnë sallën për t’u mbajtur mbledhja.