Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se disa ekstremistë serbë të maskuar kanë kthyer me forcë një familje kosovare mbrapsht.
Ai përmes një postimi në Facebook tha se kjo po ndodh para syve të policisë së Serbisë dhe siç u shpreh ai, një gjë e tillë edhe e bën edhe atë bashkëfajtore.
Ministri Sveçla gjithashtu u shpreh se deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të papengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim.
“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët”.
“Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, shkroi Sveçla.