Llapi ka arritur të shënojë fitoren e katërt radhazi, duke mposhtur në shtëpi Gjilanin me rezultat 2-1, njofton Llapi.info
Pjesa e parë e ndeshjes foli në të mirë të vendasve, ku pas 22 minutave lojë, Mentor Zhdrella shënoi gol të bukur nga distanca. Pas këtij goli, llapjanët provuan edhe me Behar Maliqin (30) dhe Benjamin Emini (43), ky i fundit shpërdoroi një rast të volitshëm, ku nuk arriti të shënojë në portën e zbrazët.
Me rezultat 1-0, ekipet shkuan në pushim prej 15 minutave. Me të nisur pjesa e dytë, mysafirët shënuan me anë të Endrien Magani, i cili realizoi gol të bukur në minutën e 52’.
Bardhë e kaltrit nga Podujeva duke ditur rëndësinë e pikëve të plota, vazhduan të sulmojnë mysafirët, teksa në minutën e 60’ rrezikuan me anë të disponuarit për lojë, Mentor Zhdrellës, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit.
Dy minuta më vonë, Salih Kosumi i Gjilanit provon nga distanca, por goditjen e tij e devijoi Eglant Haxho. Kurse, në minutën e 76’, Valmir Veliu shënoi golin që ia sigurojë Llapit 3 pikë të rëndësishme në këtë takim.
Me këtë fitore, Llapi numëron 60 pikë në vend të tretë, 2 pikë më pak se lideri Feronikeli që u mposht nga Ferizaj, ndërsa Gjilani gjendet në pozitën e shtatë me 35 pikë./Llapi.info