Vetëm 38 kërkesa për legalizim të objekteve pa leje kanë ardhur në Komunën e Podujevës në fazën e dytë për legalizim e cila është mbyllur me 16 mars 2016, njofton Llapi.info.
Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Komunën e Podujevës, Durim Salihu, tha për Llapi.info se numri i aplikuesëve për legalizim është i vogël dhe shqetësues.
“Faza e dytë e legalizimit është në gjendjen jo të mirë për shkak të një numri shumë të vogël të aplikuesve, që edhe në nivel vendi është numër simbolik.” – tha ndër të tjera Salihu.
Sipas Salihut arsyeja e numrit kaq të vogël të aplikuesve mund të jenë edhe procedurat e kompletimit të dokumentacionit.
“Është një procedurë e rëndë, lypet një numër i madhë i dokumenteve gjë që ne vërejtjet i kemi bërë me kohë edhe në takimet e asociacionit të komunave, jemi në pritje që diçka do të lëviz në aspektin pozitiv në dobi të qytetarëve të Kosovës në këtë rast të qytetarëve të komunës sonë.” – shtoi Salihu.
Faza e parë e legalizimit ka zgjatur deri në 11 qershor 2015 dhe në Komunën e Podujevës sipas drejtorit Salihu për legalizim kanë aplikuar dhe janë evidentuar 4774 objekte të ndërtuara pa leje.
Legalizimi i objekteve pa leje është proces që do të përfundojë në vitin 2017./Llapi.info