Mëngjesin e sotëm, një pjesë e rrugës “Zahir Pajaziti” në Podujevë është mbyllur për qarkullim të automjeteve, raporton Llapi.info.

Mbyllja e një segmenti është bërë me shkas të ndërtimit të Bulevardit dhe “Sheshit të Dëshmorëve” në këtë pjesë të qytetit.

Ditë më parë, Komuna e Podujevës nëpërmjet një njoftimi ka kërkuar nga qytetarët që t’i shfrytëzojnë rrugët tjera për qarkullim.

“Njoftojmë qytetarët e Komunës së Podujevës se për shkak të fillimit të realizmit të projektit ndërtimi i bulevardit dhe sheshit ‘Sheshi i Dëshmorëve’ në qendrën e qytetit, duke filluar nga data 20.01.2020 do të mbyllet për qarkullim të automjeteve një segment i Rrugës ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë. Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Podujevës njofton qytetarët se për shkak të fillimit të realizmit të këtij projekti…një segment i Rrugës ‘Zahir Pajaziti’ (nga udhëkryqi i rrugëve ‘Zahir Pajaziti’ – ‘Dr.Bajram Krasniqi’ deri te udhëkryqi i rrugëve ‘Zahir Pajaziti’ –‘19 Qershori’ – Rruga e re tek Xhamia), do të mbyllet për qarkullim të automjeteve duke filluar nga e data 20.01.2020, deri në përfundimin e punimeve”, thuhet në njoftimin për media të Komunës.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe kohore qytetarët do të mund të shfrytëzojnë për qarkullim rrugët e tjera në qytet, duke përfshirë edhe rrugën e re tek Xhamia në anën perëndimore të lumit Llap.

Kujtojmë, ndërtimi i bulevardit në Podujevë ka dështuar për dy vite radhazi, e që për këtë është kritikuar vazhdimisht ekzekutivi komunal nëpër seanca të Kuvendit./Llapi.info