Çantën me libra e ka gati tash e një vit në pritje për t’ia filluar klasës së katërt. Për herë të fundit në banka është ulur në korrik të vitit 2018. E kishte pritur me padurim 1 shtatorin që të rikthehej në shkollë, por dyert e saj nuk iu hapën më.
Nxënësi i shkollës “Sami Frashëri”, në Sylevicë të Podujevës, Florent Mulliqi, ka mbetur i dëshpëruar që shkollës së tij iu vu dryni. Megjithatë, ende e mban një shpresë se këtë shtator mund të rikthehet sërish aty ku i mësoi shkronjat e para. Shkollimin e ndërpreu pa dëshirën e tij pasi Drejtoria e Arsimit vendosi ta mbyllte këtë shkollë që është paralele e asaj të fshatit Zhiti, shkruan sot “Koha Ditore”.
Objekti shkollor, sipas banorëve, u mbyll me arsyetimin se nuk mund të shpenzohet buxhet vetëm për një nxënës. Në oborrin e shkollës, ku dikur loznin fëmijët, tashmë kullosin bagëtitë e 8 familjeve që kanë mbetur në fshat. Para luftës aty jetonin 53 familje, por u shpërngulën për shkak të kushteve të vështira infrastrukturore.
Babai i 10-vjeçarit, Rexhep Mulliqi, thotë se fëmijës së tij padrejtësisht po i mohohet shkollimi. Teksa rrëfen me lot në sy, ai shprehet se qe 12 muaj shteti “ia burgosi djalin”. “Që një vit më ka mbetur djali në shtëpi, mu ka nguju pa fajin e tij. Kam bërë ankesa në komunë, por më janë arsyetuar se s’ka buxhet. U kam premtuar se gjysmën e pagës për mësimdhënës e jap unë, por nuk kanë pranuar”, tregon duke fshirë lotët 70-vjeçari.
Dhimbjen më të madhe e ndien për djalin i cili, sipas tij, po e përjeton rëndë ndërprerjen e shkollimit. E quan për keqardhje mosangazhimin e Komunës dhe Ministrisë për gjetjen e një zgjidhjeje.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)