Me aksion pastrimi në hapësira publike dhe eliminimin e deponive ilegale është shënuar sot Dita e Mjedisit në Podujevë, njofton Llapi.info
Aksionit për pastrimin e hapësirave publike në Podujevë nxënësve e qytetarëve u janë bashkangjitur edhe Hamdi Jaha – drejtor i Urbanizmit, Vezir Januzi – drejtor i Bujqësisë dhe Agim Blakçori – drejtor i Arsimit si dhe kompani të pastrimit të kontaktuara nga komuna.
Nxënës të shumtë të shkollave fillore dhe të mesme përveç që kanë pastruar oborret e shkollave dhe hapësirave publike përreth, kanë pastruar edhe Parkun e Qytetit.
Drejtori i Urbanizmit në Podujevë, Hamdi Jaha, i falënderoi të gjithë vullnetarët e angazhuar dhe kompanitë të cilat në mënyrë vullnetare u angazhuan sot, me ç’rast tha se gjatë ditës së sotme janë eliminuar rreth 20 deponi ilegale.
Tutje Jaha, apeloi te qytetarët të kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit, duke mos hedhur mbeturinat jashtë kontejnerëve dhe në hapësirat publike. Ai gjithashtu potencoi se kompania e kontraktuar nga Komuna do të vazhdojë me eliminimin e deponive të tjera ilegale.
Sipas njoftimit të komunës, aksioni i sotëm u koordinua nga Rizah Muçolli, zyrtar për mjedis, ndërsa në fund të aktiviteteve në mbikëqyrjen e skulptorit Agron Blakçori, nxënësit kanë krijuar një mozaik me mesazh mjedisor në Parkun e Qytetit./Llapi.info