Me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagat presidenti Hashim Thaçi do të paguhet më së shumti nga buxheti i shtetit. Ligji është punuar dhe pritet që gjatë muajit qershor të shkojë në Qeveri.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, thotë se paga e presidentit do të jetë më e larta, por nuk e si sa do të jetë ajo, pasi që duhet që të caktohet koeficienti.
“Paga më e lartë duhet dhe do të jetë paga e presidentit. Janë shumë çështje të ndërlidhura sipas formulës për përcaktimin e pagës. Së pari duhet të përcaktohet koeficienti, pastaj edhe vlera e koeficientit për të gjithë, dhe kur saktësohen të gjitha këto çështje mundet të dihet”, tha Yagcilar për Ekonomia Online.
Më pas pagat më të larta do të jetë për të punësuarit në Kuvend e Qeveri. Por ajo do të përcaktohet edhe nga përvoja e kualifikimet e të punësuarve.
“Jemi duke folur për pagën bazë, edhe sipas protokollit dhe përvojave do të vazhdohet me Kuvendin, Qeverinë pastaj agjencitë e pavarura, administrata publike dhe fushat ku do të krijohet nivelizimi sipas kërkesës së punës, kualifikimit dhe kërkesës që ai vend i punës ka një detyrim për të realizuar dhe për të kryer shërbimet qytetare”, tha ai.
Yagcilar sqaroi se qëllimi i ligjit është që të mos ketë zvogëlim të pagave, kurse mund të ketë rritje nëse shihet e nevojshme. Ai garantoi se raporti pagë e njëjtë për punën e njëjtë do të zbatohet duke mos rrezikuar buxhetin.
“Qëllimi i ligjit është që së paku të ruajmë pagën të gjithëve, mos të jetë asnjë zvogëlim sidomos në ato fusha të rëndësishme të krijojmë mundësi që nëse ka nevojë për rritje të pagës, ta bëjmë, por nuk mundemi edhe të japim edhe atë mundësin që buxheti të rrezikohet. Do të realizohet parimi paga e njëjtë-puna e njëjtë”.
“Kjo do të rregullohet me ligjin e zyrtarëve publik ku prapë do të saktësohen hyrja në këto institucione dhe mënyra e funksionimit të zyrtarëve, masat disiplinore, performanca, zhvillimi karrierës dhe shumë çështje tjera që kërkohen me Ligjin e punës”.
Yagcilar ka folur edhe për reformën në administratën publike. Sipas tij, reformat do të përfshijnë punësimin e njerëzve profesionist në fushat përkatëse gjithashtu do të rris llogaridhënien e institucioneve.
“Reformat janë që shërbimi civil të jetë sa më cilësor. Njerëzit të cilët pranohen në shërbimin civil të bazohen në profesionalizëm dhe meritë dhe të realizohet përmes transparencës. Pastaj organizimi i administratës publike të jetë më i qartë, llogaridhënia të ekzistoj mes institucioneve, në qoftëse Qeveria ka llogaridhënie ndaj Kuvendit, qytetarëve apo popullit atëherë edhe institucionet duhet të kenë vijën e llogaridhënies”, tha Yagcilar.