Sot në 20- vjetorin e masakrës ndaj familjes Bogujevci e Duriqi në Podujevë është mbajtur ceremonia përkujtimore, raporton Llapi.info
Familjarë e qytetarë të shumtë sot ishin mbledhur në Parkun e Paqes në Podujevë për të përkujtuar masakrën ndaj familjes Bogujevci dhe Duriqi 20 vjet më parë nga forcat kriminale serbe. Njësiti i Ministrisë së Brendshme të Serbisë “Shkorpionët” masakruan 14 anëtarë të familjes Bogujevci e Duriqi.
Në shënimin e kësaj dite, në emër të familjes Duriqi, Mimoza Duriqi ka treguar ngjarjen tmerruese të kësaj familjeje. Me lot në sy ajo ka rrëfyer se barbarët serbë vranë edhe Albion Duriqin, 21 muajsh. Tha se si familje e kanë pasur të vështirë ta përballojnë humbjen e shtatë anëtarëve.
“Një nga ngjarjet më tmerruese në historinë tonë, ku për luftën e fundit ka çka thuhet mjaft. Unë dua të rrëfej ngjarjen e familjes time (Duriqi). Me fillimin e bombardimeve filluan spastrimet e fshatrave e qyteteve, filluan të flijohen pleq, plaka, nënat tona e fëmijë të moshave të ndryshme. Por, këtë fat të hidhur e përjetoi edhe familja ime. Pasi edhe prindit tim i erdhi ajo ditë e kobshme, ku 28 marsi ishte kur forcat çetnike serbe u vërsulën mbi njerëzit e pa mbrojtur dhe u ekzekutuan barbarisht prej gjyshit 72 vjeçar e deri tek Albioni 21 muajsh. Këta ishin 7 anëtarët e familjes së ngushtë Duriqi, sa e vështirë për t’u përballuar për t’u përmbajtur dhe për të vazhduar më tutje. Ishte babai im ai i cili vendosi të vazhdonte dhe të mendonte përsëri për një familje, ishte ai i cili priti me padurim për të mbajtur përsëri nofkën babi. Ishte ai që me padurim që priste hapat e parë të fëmijës, ishte ai i cili mendonte çdo natë për engjëjt e tij që tani prehen në parajsë”, ka thënë ajo.
Në masakrën e para 20 vjetëve, 16 plumbave u mbijetoi Saranda Bogujevci, e cila sot tha se institucionet duhet të merren më shumë në organizmin e këtyre manifestimeve përkujtimore. Bogujevci ka potencuar se është punuar që mos të harrohet e kaluara.
“Kemi kaluar nëpër shumë gjëra të vështira, por që gjatë këtij rrugëtimi kemi pasur fatin të njohim shumë njerëz që të jemi pjesë e një komuniteti siç e kemi në Podujevë, në Manchester ku kemi jetuar, familjen që e kemi përreth që ka shpëtuar dhe është kaq me rëndësi që gjithë së bashku kemi punuar që mos ta harrojmë të kaluarën, të mos harrohen njerëzit që i kemi humbur. Por, patjetër që është me rëndësi që të ecim përpara, ta shohim të ardhmen. Organizimi që sot është bërë e ka pas qëllim që t’i kujtojmë familjarët për personat që kanë qenë”, ka thënë Bogujevci./Llapi.info