Me nderime të larta shtetërore në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në kryeqytet, janë rivarrosur katër heronjtë llapjanë: Afrim Zhitia, Agron Rrahmani, Fahri e Bahri Fazliu, njofton Llapi.info.

Ceremonia e varrimit u bë nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës dhe Ministisë së Mbrojtjes. Për nderuar veprën e heronjve morën pjesë edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Për heronjtë nga Llapi u bënë homazhe në hollin e Kuvendit dhe më pas u mbajt një akademi përkujtimore ku për veprën e bijve të tyre presidenti Hashim Thaçi familjet e tyre i nderoi me “Urdhrin e Lirisë”.

Në këtë akademi, presidenti i vendit, Hashim Thaçi tha se e eshtrat e katër heronjve do të pushojnë pranë simbolit të kombit, Adem Demaçi.

“Nga sot e përgjithmonë eshtrat e katër bijve të Kosovës që dhanë jetën për idealin jetësor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar do të jenë pranë njëri-tjetrit. Ata do të pushojnë pranë simbolit të Kosovës, babait të pavarësisë, Adem Demaçit. Secili prej tyre ra heroikisht në kulmin e moshës më të mirë Afrimi dhe Fahriu 30 vjet më parë, Bahriu dhe Agroni 21 vjet më parë. Këta heronj më së miri përfaqësojnë dy deceniet e fundit të shekullit 20 të historisë së re të Kosovës. Të rritur me frymë atdhedashëse, me edukatë të lartë atdhetare ata ishin pjesë e organizimit të protestave dhe demonstratave për Republikën e Kosovës. Ata shkrinë të gjithë energjinë fizike, mendore dhe intelektuale për çështjen kombëtare. Ata treguan vendosmëri në rrugën e lirisë”, ka thënë ai.

Ai tha se ish-ushtarët e UÇK-së janë me fat që e patën rastin të njihni nga afër dhe kanë punuar me katër heronjtë.

“Krismat e pushkëve të Afrimit dhe Fahriut ishin ndër të parat që lajmëruan ardhjen e UÇK-së. Asnjë tendencë nuk do të arrijë të njollosë luftën e UÇK-së”, shtoi Thaçi.

Ndryshe, 30 vjet më parë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë ranë heroikisht Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Afrimi e Fahriu ranë në altarin e lirisë pas një rezistence disaorëshe ndaj një rrethimi të hekurt të policisë dhe ushtrisë serbo-jugosllave. Bahri Fazliu dhe Agron Rrahmani ranë heroikisht 21 vjet më parë./Llapi.info