Ka dy dekada që i riu nga Drenasi, Esat Shala, merret me koleksionimin e video-materialeve dhe fotografive që dëshmojnë krimet serbe që u kryen gjatë luftës së fundit në Kosovë. E së fundmi, puna e vëllait të dëshmores, Luljeta Shala, po shpërblehet. Esati i dorëzoi të gjitha materialet e grumbulluara në duart e shtetit, e nga Instituti për Krimet e Luftës në Kosovë, iu ofrua edhe një vend pune.

Gjatë luftës së Kosovës ishte vetëm 11-vjeçar.

Reklamë
ADVERTISEMENT
Por, Esat Shala e mban në mend ditën kur në Krajkovë të Drenasit erdhi një lajm i rëndë.

E motra, Luljeta, kishte rënë dëshmore në Gorozhup të Pashtrikut, më 14 dhjetor të vitit ’98.

Nën komandën e komandant Mujë Krasniqit, Luljeta Shala kishte marrë rrugën nga Shqipëria për në Kosovë.

Por, një prite serbe në kufirin shqiptaro-shqiptar, bëri që Luljeta të binte heroikisht bashkë me të fejuarin Hysen Bujupin.

E më të përfunduar lufta në Kosovë, Esat Shala vendosi që ta vazhdojë misionin e motrës.

Për plot 20 vjet, i riu nga Krajkova, mblodhi mijëra kaseta e fotografi të krimeve serbe në Kosovë.

“Me grumbullimin ia kam nis në vitin 2004-2005, në atë kohë i kam bërë 16-17 vjet, me kanë interesuar disa foto që na i ka bërë fotoreporteri i huaj, me nofkën Piteri, edhe kam arritur me i gjet disa foto të familjes të bëra në luftë, dhe duke i kërkuar këto fotografi, kam hasur në incizime të ndryshme”, tha koleksionisti i dëshmive të luftës, Esat Shala.

Por, cila është sasia e materialit që me mjete vetanake, arriti ta grumbullojë Esat Shala?

“Po deri më tani i kemi mbi 8 mijë orë incizime deri me sot, më herët kemi pasur më pak, por duke punuar në terren çdoherë, kemi grumbulluar më shumë. Çdoherë del dikush që më thirrë, dëgjoj që dikush e ka bërë një incizim dhe është çudi që hala nuk është shpenzuar materiali i luftës në popull që ndodhet”, tha Shala për Tëvë1.

E puna e Esat Shalës, u shpërblye pas dy dekadave.

Kjo pasi të gjitha dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë, i dorëzojë në duart e shtetit.

Këtë e bëri së fundmi në Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë, ku iu ofrua edhe një vend pune.

“Ka ndodh ajo, i kam dorëzuar ato incizime, por tash kohën e fundit ma kanë ofruar edhe një vend pune aty, bashkëpunim me Institutin për Krimet e Luftës dhe shpresoj që në të ardhmen këto incizime që janë bërë në luftë, të shpërblehet kjo punë duke u dënuar shteti serb për krimet që i ka bërë”, tha Shala.

Në fund, nipi i mjekut të zhdukur në luftë, Hafir Shalës, ka një porosi.

“Ata që i kanë incizimet e luftës, iu bëj thirrje që tash e tutje t’i dorëzojnë në Institutin për Krime të Luftës, sepse është tash kjo është adresë zyrtare dhe e vetme që dorëzohen materialet e luftës”, bëri thirrje Shala.

Për angazhimin e Shalës, njoftoi edhe vetë Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, përmes një postimi në Facebook. /teve1.info/