Më shumë se 15 për qind e popullatës gjermane është vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës kundër coronavirusit, zbuloi të dielën Instituti Robert Koch.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, të dhënat e RKI-së, treguan se rreth 12.7 milionë njerëz ishin vaksinuar, nga të cilët pothuajse pesë milionë kishin marrë nga dy doza.
Disa studime tregojnë se një dozë e vetme tashmë jep një farë niveli mbrojtjeje kundër virusit.
Vaksina e Pfizer-BioNTech duhet të aplikohet me nga dy doza, po ashtu edhe vaksina e Moderna-s, dhe e AstraZeneca-s, e vetmja me një dozë është ajo e Johnson & Johnson.
Mjekët e përgjithshëm në Gjermani iu bashkuan fushatës së vaksinimit të mërkurën dhe tani që më shumë vaksina gjenden në dispozicion, është shënuar një rritje në numrin e dozave të administruara brenda një dite; vetëm të enjten janë dhënë më shumë se 700 mijë doza.
Gjermania deri më tani ka regjistruar 3 milionë raste me coronavirus si dhe 78 mijë viktima, bazuar në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.