Gati dy dekata pas përfundimit të luftës së fundit në Ballkan, tani është një shansë që termi “Ballkanizim” të jetë diçka e së kaluarës. Megjithatë ekzistojnë ende disa konflikte të hapura të cilat duhet të zgjidhen.

Kështu e nis artikullin e saj, media amerikane “Bloomberg”, e cila i referohet dialogut në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, duhet edhe shumë durim që të pritet një marrëveshje produktive mes dy vendeve.

Bashkimi Evropian cilësohet si makineria më efikase e paqes, me tendencën e heqjes së kufijve dhe qetësimit të situatave pa përdorur forcë, e megjithatë vetëm dy vende të ish-Jugosllavisë deri më tani kanë hyrë në gjirin e saj, shkruan më tutje kjo agjenci e lajmeve.

Kjo media rikujton se negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit filluan qysh në vitin 2011, dhe deri më tani kanë pasur një ritëm “tmerrësisht të ngadalshëm”.

Megjithatë, thuhet në atë artikull, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, si dhe arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, është kushti kryesor për Kosovën që të shënojë progres.

“Bloomberg” po ashtu citon edhe deklaratat e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në Kosovë për Millosheviqin, si personazh kundër të cilit luftoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e pjesë e së cilës ishte edhe presidenti aktual, Hashim Thaçi.

Në fund të këtij artikulli, shkruhet se Mogherini e cila është në përfundim të mandatit, dëshiron të largohet nga pozita e saj si triumfatore në çështjet me të cilat është marrë, mirëpo e njëjta është skeptike sa i përket së ardhmes së Komisionit Evropian, proces i cili mund të ndikojë në zgjerimin e BE-së.