Mediumi zviceran, 20min.ch, ka raportuar sot për një veturë të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, e parkuar në mënyrë të gabueshme në një rrugë të kryeqytetit kosovar, Prishtinës.

Sipas asaj që shkruan sot gazeta e njohur zvicerane në platformën e saj në internet, një lexues i “20min” nga Prishtina ka dërguar dëshmi lidhur me veturën Audi Q7, me targa diplomatike të Ambasadës Zvicerane, e cila ishte parkuar në vendkalimin për këmbësor, shkruan Insajderi.

Siç shfaqet në fotografitë e publikuara nga 20min.ch, vetura ishte parkuar aq keq sa që e kishte bllokuar edhe njërin shirit të Rrugës B në Prishtinë.

Lexuesi që i ka dërguar këto dëshmi tek gazeta zvicerane, është shprehur i zemëruar me sjelljen e stafit diplomatik.

“Ai gjithnjë bën të njëjtën gjë dhe rregullisht e shoh atë të parkuar kështu në të gjithë qytetin”, ka thënë F.G, një lexues i “20min” që ka dashur të mbetet anonim.