Agjencia Austriake e Lajmeve (APA) e ka publikuar një shkrim lidhur me presionin ndaj mediave në Kosovë. Ky shkrim, të cilin e ka transmetuar edhe gazeta austriake “Der Standard”, flet për mundësinë që AKP-ja t’ia marrë objektet dhe hapësirat Radio Televizionit të Kosovës, për përplasje mes LVV-së dhe RTK-së, si dhe për kërcëniemet e partisë në pushtet ndaj mediave në Kosovë.
Në Kosovë televizioni publik RTK është në rrezik të mbylljes. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka vendosur të privatizojë objektet dhe hapësirat e shfrytëzuara nga RTK-ja. Kjo mund të çojë në mbylljen e transmetuesit publik. Gjithçka u bë e ditur vetëm përmes një reagimi publik të Federatës Sindikale të RTK-së. Përfaqësuesit e punëtorëve tani po kërcënojnë me protesta kundër Qeverisë, shkruan Der Standard, transmeton Gazeta Express.
“Shkatërrimin e RTK-së nuk do ta lejojmë me asnjë çmim. Jemi të vetëdijshëm se është kohë pandemie, por kur cenohet mbijetesa jonë dhe mediumi i vetëm publik në vend, do të detyrohemi ta mbrojmë me çdo mjet ligjor”, tha SPERTK-ja. Kjo Sindikatë i bëri thirrje Parlamentit të miratojë ligjin për RTK-në “sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Ne i propozojmë Kuvendit që objektin ku gjendet Radio Kosova t’ia kalojë në pronësi RTK-së dhe që bashkë me Qeverinë t’i ndihmojnë RTK-së me buxhet shtesë për rinovim”, theksoi kjo Sindikatë.
Amendamentet legjislative, të bllokuara
Miratimi i një amendamenti të tillë legjislativ është, natyrisht, i bllokuar nga partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje. Që nga fundi i vitit të kaluar Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka akuzuar Vetëvendosjen se po dëshiron të destabilizojë transmetuesin shtetëror. Veç kësaj, Sindikata e konsideron shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të RTK-së, siç është propozuar nga LVV-ja, ndërhyrje direkte në stafin editorial.
“Në vendet demokratike nuk ka praktika ku një parti politike ndërmerr hapa të tillë që afektojnë pavarësinë editoriale të medias publike dhe lirinë e shprehjes në Kosovë”, tha kjo Sindikatë, shkruan mediumi austriak “Der Standard”.
Udhëheqësia e RTK-së nuk deshi të komentojë mbi çështjen e privatizimit të planifikuar nga AKP-ja – me gjasë nga frika. Kryetari i SPERTK-së, Gzim Bimbashi, i tha Agjencisë Austriake të Lajmeve (APA): “Pa hapësira, transmetuesit dhe puna e vetë gazetarëve është në rrezik”. “(…) Pa një zgjidhje të ofruar për ne, nuk do ta lirojmë asnjë objekt”, tha Bimbashi në mënyrë protestuese. “Dikujt” nuk po i përshtatet transmetuesi publik, tha ai, duke menduar në Vetëvendosjen, por pa e përmendur partinë në pushtet me emër.
Edhe më parë qeveria jetëshkurtër e Albin Kurtit pati tensione me RTK-në. Marsin e vitit 2020 kabineti i Kurtit ndërmori hapat e parë për të ulur buxhetin e RTK-së për 2.8 milionë euro në krahasim me një vit më parë.
Drejtori i Përgjithshëm i EBU-së (Unionin Evropian i Transmetuesve), Noel Curran, ua shkroi një letër kritikuese Kurtit dhe kryetares së atëhershme të Kuvendit, tash presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Currani paralajmëroi se transmetuesi publik nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë, por deputetët e LVV-së, nga ana tjetër, bënë thirrje publike për mbylljen e tërësishme të RTK-së.
Presion i shtuar
Që nga dhjetori presioni ndaj RTK-së nga ana e Vetëvendosjes është rritur sërish, duke e arritur kulmin gjatë fushatës zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, të cilat e çimentuan pushtetin e Kurtit dhe të partisë së tij dhe sollën ndryshim të elitën politike.
Qeveria u është sulur edhe mediave tjera. Për shembull, gazeta “Insajder” po akuzohet se ka publikuar një komunikatë “konfidenciale”, e cila, sipas ligjit të Kosovës duhet të jetë e hapur për gazetarë.
Një thirrje publike nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndaj Zyrës së Prokurorit për të intervenuar çoi policinë në zyrat e gazetës për kontroll gjatë vikendit.
Të shtunën edhe Sami Kurteshi, përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, ngjalli reagime. Kurteshi tha se shumica e mediave në Kosovë do të kryenin “krime mediave”, sepse shumica e kompanive mediave ishin “produkt i krimit të organizuar institucional” nga qeveritë gjatë 20 vjetëve të fundit, transmeton Zeri.info.
Komentet e Kurteshit erdhën pasi “Insajderi” raportoi se ministri Vitia nuk e kishte nënshkruar një kontratë me prodhuesin e vaksinave “Pfizer” brenda afatit të paraparë. Prokuroria njoftoi të dielën se ka urdhëruar policinë që të nisë hetime penale për këtë rast për veprën “Zbulim i një sekreti shtetëror”.
Kosova është i vetmi vend evropian që nuk po mundet të sigurojë vaksinën kundër koronavirusit.
Shqipëria ndihmoi në vaksinimin e vetëm personelit shëndetësor dhe 24.000 doza arritën në Kosovën me 1.8 milion banorë përmes programit të OKB-së për vaksinim, COVAX.