Mijëra përkrahës të opozitës shqiptare bënë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj gjatë një proteste në kryeqytetin Tiranë, duke i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Pjesëmarrësit marshuan përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit të shtunën me thirrjet ‘Rama ik’. Ata mbanin flamuj shqiptarë e të Bashkimit Evropian dhe disa hodhën gurë e sende të tjera drejt godinës së qeverisë dhe ministrisë së brendshme.
Drejtori i policisë Ardi Veliu tha se 11 policë pësuan dëmtime teksa përpiqeshin të mbanin protestuesit larg godinave qeveritare.
Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli në protestë, duke iu thënë demonstruesve se kishte ardhur koha që Rama të largohej.
‘Premtuan punë, por të vetmet vende pune që kjo qeveri ka hapur janë ato në sektorët e e drogës’, tha Basha.
“Premtuan zbatim të ligjit, por kjo qeveri ka mbrojtur vetëm kriminelët dhe qeveritarët që janë të lidhur me kriminelët”.
Opozita druhet se përfshirja e qeverisë në krimin e organizuar do të pengojë ecjen e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Shqipëria, anëtare e NATO-s që më 2009, shpreson të hapë negociatat me BE muajin e ardhshëm.
Basha tha se “qindra mijëra” njerëz morën pjesë në protestë. Policia nuk ka dhënë shifra. Protesta përfundoi pas dy orëve.
Disa protestues rrëzuan gardhin rrethues në ministrinë e brendshme dhe u përpoqën të kalonin kordonin e policisë. PD shfaqi foto të kryeredaktorit të gazetës së saj të dëmtuar në konfliktin me policinë.
Protesta shpërtheu pasi gazetari Jetmir Olldashi nxori një bisedë telefonike, për të cilën opozita beson se ishte midis vëllait të Xhafajt dhe një trafikanti droge.
“Ata folën në telefon dhe ky është klipi i publikuar. Folën për trafikim kanabisi në Itali”, tha Olldashi për Al Jazeera.
Demokratët e akuzojnë Xhafajn se ka përkrahur aktivitetet e vëllait të tij, të lidhura me drogën. Vëllai i tij u vetëdorëzua te autoritetet italiane për të shlyer dënimin e vitit 2012 për trafik droge.
Xhafaj i mohon akuzat, duke thënë se do të jepte dorëheqjen nëse ato vërtetoheshin.
Avni Ahmetaj i Al Jazeeras, duke raportuar nga Tirana, tha se tensioni u rrit pas një vendimi të gjykatës javën e kaluar për të lënë në arrest shtëpie ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, një “bashkëpunëtor i afërt i Ramës për shumë kohë”, i cili akuzohet për përfshirje në “korrupsion dhe trafik droge”.
Zyrtarët e akuzuar i kanë hedhur poshtë gjithçka është thënë kundër tyre.
Rama shkroi në Facebook të shtunën, duke falënderuar demokratët që refuzuan të merrnin pjesë në protestë.
‘Faleminderit të gjithë demokratëve që nuk e përkrahin qeverinë por sërish refuzuan të merrnin pjesë në protestë, e cila tingëllon qesharake dhe e pabesueshme për çdo shqiptar që nuk pranon të lëndojë vendin e tij për shkak të interesave të fshehtë’, shkroi Rama.
Demokratët pësuan një humbje të rëndë në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke marrë vetëm 43 nga 140 vende, shkruan syri.net.