Me ftesë të Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, një grup i kryeredaktorëve, gazetarëve dhe foto-reporterëve të akredituar pranë selisë së Kombeve të Bashkuara në New York për disa nga mediat më të rëndësishme ndërkombëtare do të vizitojnë Kosovën.

Në njoftim thuhet se grupi në përbërje nga Foreign Policy, Al Jazeera, UN Insider, Deutsche Welle, The Guardian dhe media të tjera do të qëndrojë për disa ditë në Kosovë, do të ketë takime të nivelit të lartë me udhëheqësit e vendit, ata të nivelit lokal, si dhe do të vizitojë pjesët më të rëndësishme historike, trashëgimisë kulturore dhe asaj turistike.

“Qëllimi i kësaj vizite është që mediat ndërkombëtare të përcjellin nga afër zhvillimet dhe progresin që është bërë në vend, që nga shpallja e Pavarësisë dhe në një kohë kur janë shtuar përpjekjet diplomatike për anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim shtohet afirmimi i Kosovës si një storie suksesi e partneritetit mes Institucioneve tona dhe atyre perëndimore dhe promovimi i një imazhi sa më të mirë të vendit në marrëdhëniet me jashtë ka qenë njëri nga prioritetet kryesore të Ministrit të Punëve të Jashtme, Pacoli, gjë për të cilën ai është angazhuar fuqishëm që nga pranimi i mandatit.