Shqiptarët e Kosovës me shpejtësi janë duke intensifikuar ushtrimet me amerikanët, si pjesë e një operacioni të përbashkët të koduar si ‘Shpata e Artë’ e cila në qarqet e sigurisë serbe interpretohet si faza finale e hyrjes në veri të Kosovës dhe rrumbullakimi i sovranitetit të shtetit, kështu pretendohet nga media serbe ‘Novosti’.

Sipas të njëjtës media, këto qarqe të sigurisë janë duke u interpretuar si faza finale e “rrëmbimit” të veriut të Kosovës.

Burime të Novostit thonë të kenë bërë të ditur se pjesëtarët e KFOR-it amerikan kanë trajnuar pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës për ushtrinë e ardhshme për disa javë me radhë në malin e Bajgorës.

Gjithashtu theksohet se trajnimi është kryer për të paktën 100 pjesëtarë.

Mali i cili është i vendosur në skajet e komunës së Podujevës dhe shtrihet drejt veriut të Mitrovicës dikur ishte një nga zonat kryesore të UÇK-së.

Sipas serbëve këto ushtrime po bëhen pikërisht në kohën kur ka tensione të ngritura në Kosovë.

“Edhe pse përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë publikisht theksojnë se transformimi i FSK-së në Ushtri të Kosovës duhet të bëhen përmes ndryshimeve kushtetuese në një dialog të plotë në mes të gjitha komuniteteve të Kosovës, sjellja e trupave amerikane të KFOR-it në terren tregojnë se kjo gjë është në proces. Sipas informacioneve jozyrtare, por të besueshme përveç trajnimeve, po bëhet edhe armatosja ose saktësisht ardhja e Ushtrisë së Kosovës. Komanda e FSK-së ka blerë nga amerikanët 27 automjete luftarake ‘Hummer’ derisa 24 kanë marrë si dhuratë”, shkruhet tutje në raportim, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu është theksuar se tashmë posedohen pushkë automatike, mortaja, automjete të vogla të blinduara dhe se së shpejti mund të pasohet edhe me blerje të helikopterëve, nga buxheti 40 milionë euro i ndarë nga Qeveria e Kosovës.

“Prishtina tashmë ka një plan të detajuar, sipas të cilit Ushtria e Kosovës duhet të ketë 8 mijë pjesëtarë nga të cilët tre mijë do të jenë në rezervë dhe në operacione të plota deri në fund të vitit 2019”, thuhet në raportim.

Gjithashtu bëhet e ditur se pas lëvizjes masive të forcave të KFOR-it nga pjesa jugore e Kosovës për në veri përgjatë të shtunës, Ushtria e Serbisë ka ngritur gatishmërinë luftarake në gjithë territorin e Serbisë.

Nga Ministria e Mbrojtjes është bërë e ditur se në kuadër të ushtrimeve të fluturimit, avionët e ushtrisë sebe prej sot dhe pesë ditët e ardhshme do të fluturojnë mbi rajonin e Nishit dhe mbi Preshevë. Lidhur me këtë Indeksonline ka raportuar mëngjesin e sotëm.

Konsultime lidhur me këtë janë bërë edhe në mbledhjen e Këshillit për siguri kombëtare të Serbisë, në të cilën janë marrë vendime për masat të cilat Serbia është në gatishmëri t’i ndërmarrë.