Mediat serbe i kanë bërë jehonë deklaratës që ish-Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, bëri mbrëmë në “Pressing” të T7, për Faton Hajrizin. Hajrizi po dyshohet për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e tij në Loznicë.

Mediume si “B92” dhe “Telegraf” kanë publikuar deklaratën ku ai tha se me aq sa e njeh Faton Hajrizin, nuk do të “bie në duart e serbëve”.

Thaçi tha se Hajrizi mund të shkaktojë viktima të tjera, apo të vetëflijohet, por se ‘nuk do të kapet nga policia serbe’.

“Ai ose ikë nuk dorëzohet, vetëfllijohet, për aq që e njoh. Nuk i bjen policisë serbe ai në asnjë mënyrë. Ai ka me tentu edhe viktima tjera me bë, ikjen e ka primare. Ndoshta edhe viktima tjera bën, a nuk besoj që ai bjen në duar të serbëve”, ka thënë ai.

Faton Hajrizi, i cili dyshohet për vrasjen e policit serb dhe plagosjen e kolegut të tij, vazhdon të jetë në arrati. Mediat serbe, të afërta me pushtetin, raportojnë se menjëherë pas krimit, ai është arratisur për në Bosnjë e Hercegovinë, pasi ka kaluar lumin Drina. Kërkimet për të po vazhdojnë, edhe me dronë e helikopterë. Për rastin ka folur sërish vëllai i tij, Artan Hajrizi, i cili u shpall në kërkim nga autoritetet serbe, meqë dokumentet e tij personale u gjetën në vendgjarje. Deri tash, janë tre të arrestuar.