Regjisori serb i filmit “Kosova, një moment në civilizim”, që sot do të shfaqej në Graçanicë, Boris Malagurski është ndaluar të hyjë në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Premiera e filmit serb “Kosova, një moment në civilizim”, ishte paraparë të shfaqej sot në Graçanicë, e simbolikisht me fillim nga ora 12:44, shkruajnë mediat serbe.

E vet Malagurski, duke treguar se si sipas tij, Policia e Kosovës nuk ia lejoi futjen në Kosovë, përmendi edhe artistët kosovarë të cilët po marrin pjesë në festivalin “Mirëdita, Dobar dan”, transmeton lajmi.net.

“Shkova të marr pjesë në premierën e filmit tim, veçanërisht duke pasë parasysh që disa të ashtuquajtur artistë të Kosovës po e shpalosin punën e tyre në Beograd. Mendoja se kjo do të ishte e përshtatshme. Sidoqoftë, në pikën administrative kufitare në Jarinjë na thanë të presim për disa kontrolle. Pas gjysmë ore ata erdhën me dokumente me të cilat thanë se më është ndaluar hyrja në Kosovës”, citohet nga mediat serbe të ketë thënë Malagurski.

Madje siç citojnë mediat serbe, Malagurski e ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se po fsheh të vërtetën me këto lëvizje.

Ndryshe, nga Policia e Kosovës nuk është dhënë ende ndonjë detaj.