Gazeta zvicrrane në gjuhën frënge “24 heures” (24 orë) ka shkruar sot për suksesin e tregtarit kosovar nga Podujeva me qëndrim në Zvicërr, Nazmi Shala. Ky shkrim tregon për rrugën që Shala ka ndjekur që nga ditët e para të tij në Zvicër e deri më sot, përcjell Llapi.info.
Po ju sjellim të plotë në versionin e përkthyer shkrimin e kësaj gazete:
“Me të ardhur në Zvicër, Nazmi Shala e kishte një shitore të vogël, por tani, tregtari kosovar ka një market të vërtetë.
Në këtë foto, ai ka paraqitur gjithë familjen e vet. „Bija ime përkujdesej për arkën që nga mosha shtatëvjeçare, ndërsa biri im punonte në shitore përderisa unë punoja natën. Ai e hapte shitoren në ora 7 të mëngjesit“. Në sytë e Nazmi Shalës vërehet një krenari e përzier me respekt.
Ky punëtor i palodhur dhe optimist i përjetshëm, në Zvicër ka arritur në vitin 1988, pa kurrfarë gjerash të tjera, përpos krahëve të vet. Fillimisht, ai e hapi një shitore të vogël në një rrugicë të Payernit. Tash e disa javë, ai e ka transformuar lokalin e vet në një market të vërtetë dhe në njërën nga sipërfaqet më të mëdha në qendër të qytetit.
Por, si arriti Nazmi Shala deri këtu? Ai i kujton me gjithë dëshirë kujtimet për vetbesimin, fatin dhe ndihmën e disa banorëve vendës, të cilën nuk do ta harrojë asnjëherë, e sidomos dashurinë ndaj punës. Gjatë tetëmbëdhjetë viteve, ai pohon se ka qenë vetëm një herë në pushim. Edhe atëherë vetëm që të shërohet nga një sulm në zemër. “Unë jam i tillë, çdoherë më duhet të sjellë risi. Për çdo ditë ndonjë produkt apo raft të ri. Po të mbetet shitorja e zbrazur, do të thotë se nuk e ke kryer punën mirë. Duhet ditur se çfarë duan klientët dhe të shërbehen si është më së miri”.
Në rrethinën e Broye, kosovari gjithnjë i buzëqeshur ka bërë emër me produktet ballkanike, por para së gjithash, duke u falënderuar pemëve dhe perimeve. Fillimisht duke importuar për nevojat e diasporës, e më pas duke blerë nga bujqit vendorë. “Nuk është me rëndësi nëse ndonjëherë bëj ndonjë dallim të vogël, kryesorja është që njerëzit të kenë të hanë, që produktet të mos humben”, rrëfen Nazmiu.
Më pas, ai vazhdon të rrëfejë për jetën e tij të trazuar. “Studioja gjuhën frenge që të bëhem profesor i kësaj gjuhe, kur gjithçka filloi mbrapshtë në Kosovë. Kisha të drejtë, disa vite më vonë filloi edhe lufta”. Vendosi të shkojë në Zvicër ku punoi punë të mundimshme si murator, si punëtor ferme etj. “Kurr nuk kam pasur ndonjë trajnim por nëse dikush mund ta bëjë atë, besoj që edhe unë jam i aftë ta bëj një gjë të tillë, apo jo?”, vazhdon më tutje Shala.
Një ditë të bukur të vitit të largët 1999, ai vendosi të vëjë në funksion një lokal të vogël duke punësuar dy nipërit e tij, që shitnin qebapa. E gjithë familja e vet u angazhua për ta transformuar dalëngadalë lokalin në “Bali commerce”. Kohët ishin të vështira. “Nuk kisha hapësirë për të deponuar rezervat, kështu që duhej të shkoja çdo dy ditë në Cyrih, ku duhej të isha para orës 05.00 të mëngjesit. Më pas kthehesha të punoj në një fabrikë, ndërsa bashkëshortja ime përkujdesej për shitoren. Ndonjëherë isha aq i lodhur sa që më zinte gjumi gjatë pauzës”. Punëtori i palodhur arriti të mbushë dalëngadalë lokalin me gjerat e nevojshme, fillimisht me një frigorifer, mandej me karrige, rafte, një makinë të kafes dhe një televizor. “Të mos harrojmë se tek ne (në Kosovë) ishte luftë, ndërsa të gjithë punëtorët vinin tek unë për t`i përcjellë lajmet e fundit nga vendlindja”.
Tashmë, gjithçka ka ndryshuar, te lokali i Nazmiut, i cili ka punësuar tre punëtorë, nuk flitet më për luftë: “Tash flasim për ardhmërinë e fëmijëve tanë”, përfundon Nazmi Shala, fëmijët e të cilit janë të integruar në mënyrë të mrekullueshme, vajza ka përfunduar studimet në tregti, ndërsa djali i tij është duke studiuar arkitekturën në Lozanë.”