Mediumi italian që merret me çështje që lidhen me ambientin lanuovaecologia i ka dedikuar një artikull të plotë çështjes së mbeturinave në Kosovë, duke thënë se një shtet më i vogli në mesin e shteteve të ish Jugosllavisë, është zhytur në mbeturina, transmeton Gazeta Sinjali.
Tutje në këtë artikull shkruan se si Kosova një shtet me më pak se dy milion banorë, ajo ka rreth 1,500 qendra të banuara dhe 1,572 deponi të paligjshme.
“Kosova ka një problem të madh me asgjësimin dhe menaxhimin e mbeturinave. I banuar nga më pak se dy milion njerëz, i shpërndarë në një zonë të barabartë me atë të Abruzzo, vendi ka 38 komuna për rreth 1,500 qendra të banuara. Sipas një raporti të vitit 2018 nga Ammk, agjencia kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, ka 1,572 deponi ilegale të shpërndara në mes të zonave urbane dhe rurale të tërë Kosovës”, theksohet në këtë artikull.
Artikulli përmendi një raport të Agjencisë Evropiane të Mjedisit i cili thotë se “sistemi i menaxhimit të mbeturinave në Kosovë nuk është as efikas dhe as i zhvilluar mirë”. Sipas agjencisë “Në Kosovë nuk ka masa të mjaftueshme për trajtimin dhe riciklimin e materialeve të mbetjeve, infrastrukturat mungojnë, ka një mungesë të monitorimit të aktiviteteve dhe investimet e nevojshme për të ndryshuar trendin janë gjithashtu të pakta. Gjithashtu sipas raportit, mungesa e bashkëpunimit midis institucioneve gjithashtu bën që autoritetet lokale të luftojnë për të ofruar shërbime themelore, si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane”.
Në artikull tutje flitet edhe për organizatën “Ta pastrojmë Kosovën” dhe angazhimin e saj në lidhje me pastrimin e hapësirave të gjelbra nga mbeturinat.
“Këto deponi ilegale mund të gjenden kudo në hapësirat publike: afër rrugëve, në zona të ndërtuara, por edhe në male dhe përgjatë lumenjve”, argumenton presidenti i Ta Pastrojmë Kosovën (Ta bëjmë! Kosovë), Luan Hasanaj, njofton artikulli.