Në vazhdën e vizitave në familjet e dëshmorëve të kombit, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi familjet e dëshmorëve në vendbanimet e pjesës veriore të vendit tonë.

Ai vizitoi familjen e dëshmores Fatime Hetemi në veri të Mitrovicës, familjen e dëshmorit Bislim Ademi në Cerajë të Leposaviqit, familjen e dëshmorit Kadri Kadriu në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës dhe familjen e dëshmorëve Kadrije Uka dhe Fahredin Uka në Çabër të Zubin Potokut.

Në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes thuhet se Mehaj është pritur ngrohtësisht nga familjarët dhe të afërmit e tyre duke u vlerësuar vizita e tij në këtë ditë feste.

“Vlerësimi i lartë i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe flijimit të tyre nga kjo anë e vendit tonë, bashkë me evokimin e kujtimit dhe nderimit për ta ishin qëllimi i kësaj vizite”.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja janë institucionet e vendit që janë të përkushtuara maksimalisht të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve në gjithë territorin e Kosovës, sepse e kemi obligim kushtetues dhe ligjor, që ishte edhe ideali i gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit”, tha ministri i Mbrojtjes.