Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj ka thënë se rrugëtimi i AAK-së, tërë këto vite ka qenë i ngjashëm me fatin e Kosovës.

Sipas Haradinajt, ka ardhur koha që Kosova të ketë qeveri të qëndrueshme e me mandat të plotë.

Haradinaj thotë se është koha që Kosova ta ketë një President të dinjitetshëm, që unifikon faktorin politik në tema nacionale e strategjike, para së gjithash përballë Serbisë. Sipas saj ky president është Ramush Haradinaj.

“Ka ardhur koha që Kosova të ketë qeveri të qëndrueshme e me mandat të plotë.
Ka ardhur koha që Kosova të ketë President të dinjitetshëm, që unifikon faktorin politik në tema nacionale e strategjike, para së gjithash përballë Serbisë!
Ka ardhur koha që Kosova të ketë President të besueshëm për ne, e të papërshtatshëm për kundërshtarët e Kosovës.
Ka ardhur koha për Ramush Haradinajn President i Republikës së Kosovës dhe Komandant i Ushtrisë së saj, si e vetmja garancë për një Kosovë të fortë e të qëndrueshme për sot e nesër!”, shkruan ndër të tjera ajo.

Postimi i plotë:

ALEANCA DHE KOSOVA KANË PASUR GJITHMONË TË NJËJTIN FAT!
Rrugëtimi i Aleancës këto vite ka qenë pothuajse i njëjtë me atë të Kosovës. Kanë ndarë të njëjtin fat, e të njëjtin rrugëtim.
Asnjëherë deri më tani, për shkaqe të mirënjohura, as Kosova e as Aleanca s’kanë arritur të realizojnë potencialin e tyre të vërtetë.
Në kulmin e suksesit, kur kishim plane ambicioze e shumë konkrete, vullnet të fortë e gatishmëri të lartë për të punuar, për ta zhvilluar e çuar përpara Kosovën dhe për ta rritur e konsoliduar Aleancën, faktorë të qëllimshëm na kanë prerë rrugën.
• Në periudhën mars 2005 – nëntor 2012, Tribunali i Hagës goditi Kosovën dhe Aleancën, duke e lënë të parën pa Kryeministër, e të dytën pa Kryetar, në kohën kur përgatitjet për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës ishin në fazën më intensive;
• Në janar të vitit 2017, me flet-arrest të rrejshëm të Serbisë, autoritetet e Francës ndaluan dhe e dërguan para Gjykatës Kryetarin e AAK-së, për ta liruar pas 4 muajsh nga kërkesa për ekstradim në Serbi;
• Në korrik të vitit 2019, presioni për heqjen e taksës dhe ndarjen e Kosovës përmes idesë së shkëmbimit të territoreve/korrigjimit të kufijve kulmoi me ftesën për intervistim nga Dhomat e Specializuara për Kryeministrin e Kosovës dhe Kryetarin e AAK-së z.Ramush Haradinaj.
Pra, është e qartë.
Serbia po vazhdon peng-mbajtjen e Kosovës përmes dialogut të pafundëm e të pa definuar, si rëndom – duke shkelur secilën shkronjë të secilës marrëveshje, e po ashtu, duke mos respektuar parimet dhe zotimet e bëra si në Bruksel ashtu edhe në Uashington.
Kosova e përçarë, e fragmentuar dhe e paqëndrueshme politikisht, pa qëndrim dinjitoz e të unifikuar përballë Serbisë – shkelet e përdoret si trampolinë nga pasardhësit e Millosheviqit sot në pushtet atje, për të avancuar rrugën euro–integruese të saj.
Tani ka ardhur koha që Kosova të qëndrojë e fortë mbi këmbët e saj, dhe të realizojë potencialin e saj të vërtetë.
Ka ardhur koha që të gjithë të jemi të përbashkuar rreth qëllimit tonë për një Kosovë të integruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ka ardhur koha që Kosova të ketë qeveri të qëndrueshme e me mandat të plotë.
Ka ardhur koha që Kosova të ketë President të dinjitetshëm, që unifikon faktorin politik në tema nacionale e strategjike, para së gjithash përballë Serbisë!
Ka ardhur koha që Kosova të ketë President të besueshëm për ne, e të papërshtatshëm për kundërshtarët e Kosovës.
Ka ardhur koha për Ramush Haradinajn President i Republikës së Kosovës dhe Komandant i Ushtrisë së saj, si e vetmja garancë për një Kosovë të fortë e të qëndrueshme për sot e nesër!
Kosovë – Aleancë, na priftë e mbara!