Dorëheqjen e Sejdi Hoxhës nga funksioni i kryetarit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, e ka konsideruar si lajm jo të mirë.
Krasniqi ka deklaruar se e respekton vendimin e tij, mirëpo sipas tij, në këtë kohë, lidershipi dhe guximi janë të nevojshëm.
“Megjithëse e respektoj vendimin e tij në plotëni, unë e shoh politikën dhe angazhimin politik si një mundësi për bashkëpunim për t’i tejkaluar dhe zgjidhur problemet. Në kohë të vështira është i nevojshëm lidershipi dhe guximi për të vepruar, dhe jo e kundërta. Reformat në PDK duhet të kuptohen nga të gjithë si mundësi e forcimit të organikës me bashkimin e energjive të reja për të fituar Kosova dhe pa shikuar shumë fatet tona individuale”, tha Krasniqi, për Kosovapress.
Lideri i opozitës ka falënderuar Sejdi Hoxhën për kontributin, punën e angazhimin e pandalshëm në njërin prej bastioneve më të mëdha elektorale të PDK-së në Kosovë.
Hoxha ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryetarit të Degës së PDK-së në Drenas, disa ditë pasi nuk u bë pjesë e Kryesisë qendrore. Ai ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin brenda partisë, pavarësisht pozitës ku ndodhet.