25 vjeçarja nga Prekazi i Skënderajt, Sala Jashari, sot, zyrtarisht i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.
“Ajo mban me krenari emrin e gjyshes së saj, heroinës Sala Jashari, nënës së dy gjeneralëve të shquar të luftës sonë çlirimtare, Sahit dhe Musa Jashari nga Prekazi i lavdisë tonë kombëtare. Me Salën si kandidate në listën tonë për deputetë, dhe të rinjë të tjerë që do të na bashkohen rrugës, PDK do të jetë më e pasur dhe më e fuqishme për zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ndërkaq, nga ana e saj, Sala Jashari ka thënë se rrugëtimi i saj drejt këtij vendimi është formësuar nga trashëgimia e familjes, e cila iu përkushtua me zemër dhe shpirt idealit fisnik të çlirimit dhe shtetndërtimit të Kosovës.
“Kam zgjedhur të ndërmarr këtë hap si veprën time të parë, të nxitur nga obligimi moral për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve tanë. Për të nderuar sakrificat e atyre që erdhën para meje. Partia Demokratike e Kosovës i mishëron këto parime – që si qëllim ka ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë ne”, ka thënë Sala Jashari.