Kompleksi Memorial i Dëshmorëve të Llapit, në fshatin Penuhë të Podujevës, ka mbetur peng i mungesës së mjeteve.

Funksionalizimi i tij varet prej 270 mijë eurosh, që tash për tash mungojnë.

Drejtori i Departamentit të Financave dhe të Shërbimeve të Përgjithshme në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), Adnan Elshani, ka thënë se Qeveria e re ka dhënë një shumë prej 50 mijë eurosh. Por, sipas tij, këto s’mjaftojnë.

“Sa i përket kompleksit memorial “Dëshmorët e UÇK” –së në Penuhë të Podujevës, mund t’ju themi se pas formimit të Qeverisë së re të Republikës se Kosovës, janë dhënë mjete në vlerë prej 50 mijë eurosh dhe ato bashkë me kodin janë bartur në AMKMK.

Por projekti me dokumentacion ende është në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili së shpejti do të bartet te ne”, ka thënë Elshani, shkruan Koha Ditore.