Të martën është hapur afati për votim me postë nga diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ku afat do të jetë i hapur deri më 12 shkurt, kur mërgimtarët mund të votojnë.

Por, kosovarët që ndodhen në diasporë ankohen se po shpenzojmë shuma të mëdha parash, veçanërisht ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Pasi kanë vetëm 10 ditë afat për ta dërguar votën, dhe dërgesat postare që vijnë nga Amerika, sidomos në situatën kur bota po përballet me pandeminë zgjasin disa javë, disa nga ta thonë se e vetmja alternativë për ta është dërgimi me shërbim të posaçëm si FedEx ose DHL, që kushton 150 e më shumë dollarë.

Një mërgimtar nga Amerika ka thënë se kjo është, domethënë, një taksë shtesë që të imponohet, nëse e do të drejtën e votës.

Reagimi i plotë i njërit nga ta:

Shikoni se në çfarë situate na qet ligji zgjedhor i Kosovës dhe KQZ-ja. E nxjerr fletëvotimin vetëm 10 ditë para zgjedhjeve. Pra, kaq kemi afat që ta dërgojmë votën! Kurse dërgesat postare, sidomos për ne që jetojmë në SHBA dhe vende tjera jashtë Evropës, normalisht marrin disa javë! Dhe shërbimet tani janë edhe më të ngadalta e të pasigurta shkaku i Covid-19!
E vetmja alternativë është dërgimi me shërbim të posaçëm si FedEx ose DHL, që kushon 150 e më shumë dollarë!
Kjo është, domethënë, një taksë shtesë që të imponohet, nëse e do të drejtën e votës! Përndryshe, dërgoje votën, po a numrohet a jo, e shohim!
Dhe as nuk po flas për këtë absurdin e fundit, “prite telefonatën nga KQZ”, vetëm që dikush atje nga stafi me të pyet, “si jeni, a u lodhët”!
Në SHBA kësaj i thonë, “voter suppression”. Shtypja e votës, duke vendosur pengesa e barriera adminstrative, e pagesa të shtuara, për ta penguar ose dekurajuar votën!
Kjo është edhe arsyeja pse historikisht, kaq e ulët është pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje, pos ndonjë entuziasti të dedikuar! Kurse e drejta e votës nuk është punë entuziastësh, por e drejtë elementare për qytetarët e një republike demokratike!
Kuvendi i ardhshëm i Kosovës duhet NDËR PUNËT E PARA ta amandamentojë ligjin zgjedhor të Kosovës, duke shqyrtuar disa opsione të ndryshme për votimin nga jashtë.
1) Gjetja e një metode të votimit të sigurt elektronik, përmes nënshkrimit elektronik.
2) Përdorimi i ambasadave dhe konzulatave si adresë për pranimin e fletëvotimeve, siç bëjnë shumë shtete në botë. Për çka tjetër ekzistojnë këto zyra diplomatike e këto shërbime! Do të ishte detyrë e ambasadave që pastaj fletëvotimet t’i transportojnë te KQZ-ja deri në datën e zgjedhjeve, ose disa ditë pas, e jo që barra e kostos së transportit të bartet te votuesi.
3) Lejimin e votimit me kusht, 30 ditë përpara zgjedhjeve, atyre që jetojnë jashtë, përmes një fletëvotimi provizor (p.sh., lista e partive pa kandidatë).
4) Shtyrjen e datës së pranimit të fletëvotimeve me postë, me kusht që ato janë adresuar dhe mbajnë pullë postare me një datë para ditës së zgjedhjeve.
Ka shumë zgjidhje, kur ka vullnet. Mbes me shpresë se Kuvendi i ardhshëm do ta adresojë këtë çështje, e do të zhgënjehem shumë nëse nuk i adreson.