Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes. Për një rast të tillë, Sinjali ka raportuar para një jave, pasi një grua e denoncoi në Polici partnerin e saj. I dyshuari, që jeton në Zvicër u fut në listën e të kërkuarve dhe ndaj tij nisën hetimet.

Disa ditë pasi u denoncua në Polici, ai vendosi të vijë në Kosovë, me ç’rast në kufi u arrestua nga Policia. I dyshuari u ndalua në pikën kufitare në Merdar dhe më pas u shoqërua në stacion policor për intervistim.

Burimet nga Prokuroria thonë se pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Ndryshe, viktima 32-vjeçarja ka raportuar në Polici se personi me të cilin ka bashkëjetuar, pas një konflikti verbal mes tyre, e ka kërcënuar nga Zvicra përmes mesazheve të ndryshme.

Për të mos mbaruar me kaq, ai ka vazhduar me thirrje, duke e kanosur seriozisht, për çka viktima kishte vendosur që ta denoncojë rastin, para se të ndodhë diçka më e madhe.