Emigroi qysh në moshë të re në Gjermani. Por, Skender Mustafa, ka zgjidhur një mënyrë që ‘mallin’ për ushqime tradicionale për mërgimtarë të tjerë në shtetet perëndimore t’ua heqë. Kjo, pasi që ai eksporton produkte vendore për shqiptarët që jetojnë në perëndim, duke eksportuar turshi, por jo vetëm, jashtë Kosovës, shkruan Llapi.info
Për të arritur që të bëhet eksportues i shumë produkteve vendore në perëndim, nuk ishte e lehtë për të. Ishte vetëm 20 vjeç kur shkoi azil në Frankfurt të Gjermanisë, ku më pas edhe ka fituar lejeqëndrimin. Thotë se në fillim atje ka punuar punë të ndryshme, por që biznes kishte më shumë me vetura. Mustafa ishte edhe tregtar i rrobave nga Turqia, por sot ai ia ka arritur qëllimit. Mustafa për Llapi.info ka thënë se për t’i hequr merakun vetit dhe bashkatdhetarëve me ushqime tradicionale ka filluar këtë punë. Thotë është ndër të parët në Kosovë që ka një fabrikë të turshive.
“Neve që jetojmë edhe vetë që jetojmë në Gjermani na ka ra me marrë turshi me vete prej Kosove. Për këtë, ma ka marrë mendja që është ide e mirë me i sjellë në Gjermani se krejt mërgimtarët i donë turshitë e si çdo shqiptarë”, ka thënë për Llapi.info Mustafa.
Tutje Mustafa ka shtuar se në vitin 2014 ka filluar me eksportimin e turshive të para në Gjermani. Në këtë vit edhe ka nisur punën.
“Pas tre vjetëve që e kemi hap dyqanin kemi filluar me objektin e fabrikës së turshive në Kosovë në vitin 2010, jemi prej fabrikave të para në Kosovë për turshi. Një herë deri në vitin 2014 kemi vazhduar ndërtimin e fabrikës pjesë-pjesë. Puna ka filluar në shtator i cili edhe njihet si muaj i turshive, dhe eksportimin e parë të turshive e kemi bërë në nëntor të vitit 2014. Sasia në fillim ka qenë prej 40 tonëve të eksportimit në vitin e parë. Ndërsa, në vitin 2018 eksportimi ka arritur 400 tonë turshi e gjëra tjera. Receta e turshive është shtëpiake”, ka vazhduar ai.
Deri tani ata kanë eksportuar speca turshi somborka me vaj, spec i kuq me vaj, spec me lakër, domate e gjelbër, lakër, sarma, rasoj, miell misri, somborka me ujë, fafarona, ajvar, spec i kuq grill. Por, eksportimet e tij s’i kanë mirëpritur mirë vetëm bashkatdhetarët nga Kosova, kjo pasi që ai thotë se kanë filluar të kërkojnë edhe qytetarë tjerë ballkanas. Por, që produktet e tyre i kanë bërë ballë konkurrencës edhe nga vendet tjera. Perimet i blejnë nga fermerët në Kosovë, për t’i përgatitur turshi dhe pas paketimit dhe etiketimit për t’i eksportuar më pastaj.
“Në fillim në depon në Podujevë, kanë nisur të punojnë 15 punëtorë, pa i llogaritur edhe familjarët e mi. Pastaj, numri është rritur në 25, kurse vitin e kaluar kanë qenë 33 punëtorë gjatë sezonit. Kurse në Gjermani janë 3-4 punëtorë, shoferi edhe shitësi në depo. Prej gushti deri në mars është sezoni që punohet në Kosovë. Ndërsa në Gjermani punojmë gjithë njësoj. Kemi konkurrentë prej krejt botës për turshi, si prej Rusisë, Turqisë, Marokut, Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë. Po mall ma të mirë se ky i joni nuk ka. Malli është krejt bio edhe punohet me dorë, se atje sjellin edhe turshi të serrave. Shijen e kanë shumë të mirë, është ‘recetë e nanës”, tregon ai.
Turshitë që i prodhojnë në “Dardania” nuk shiten në Kosovë, por të gjitha eksportohen jashtë vendit. Por, nuk është vetëm Gjermania vendi ku ai eksporton, krejt kjo pasi ai thotë se tashmë ka vite që ka filluar edhe në vende tjera evropiane, si në Suedi në vitin 2016, kurse në vitin 2017 në Angli Zvicër, Francë e Luksemburg.
“Ndihma më e madhe prej shtetit është që nuk kemi pas pengesë asnjëherë. Ne i kryejmë të gjitha pagesat dhe kemi raporte korrekte me institucionet shtetërore”, thotë ai.
Mustafa thotë se malli i tyre gjendet në më shumë se 100 dyqane të Gjermanisë, teksa në vitin 2016 në dyqanin në Frankfurt produkteve ia kanë marrë mostrat, por që sipas tij, cilësia është përputhur dhe se nuk kanë pasur probleme asnjëherë me cilësinë e tij.
Skender Mustafa thotë se do ketë edhe produkte tjera që do të përgatiten për t’u eksportuar në vendet evropiane, teksa shton se merakun e bashkatdhetarëve për ushqimet tradicionale t’ua heqë, dhe të mos i bartin me vete, pasi që sipas tij, ka probleme të ndryshme me bartjen e tyre./Llapi.info