Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, është takuar sot në një vizitë zyrtare në Gjermani me kancelaren Angela Merkel, dhe pas takimit është theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane dhe mbështetjen e Gjermanisë.
Merkeli, sipas mediumit boshnjak Klix.ba, ka thënë pas takimit se në Ballkanin Perëndimor ka disa tendenca për rindryshim të kufijve, gjë që, sipas saj, nuk mund të ndodhë.
“Për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ka perspektivë evropiane. Bosnja e Hercegovina po punon shumë për t’iu bashkuar BE-së, për këtë arsye është dashur të përgjigjet në qindra pyetje”, ka thënë ajo, “Inkurajojmë qeverinë që të përgjigjet në të gjitha pyetjet e mbetura”, transmeton Koha.net.
Ajo ka thënë po ashtu se anëtarësimi i Bosnjës në NATO është një prej prioriteteve.
Ndërkaq, Zvizdiq ka thënë se marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të bazohen në respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të tyre.
“Kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë vendosur”, ka potencuar Zvizdiq, duke shtuar për korrigjimin e kufijve as që duhet diskutuar më.
Kohën e fundit është shprëfaqur ideja e korrigjimit të kufijve, siç po e quan presidenti i vendit Thaçi, mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, presidenti serb Vuçiq është shprehur pro idesë së ndarjes së Kosovës në vija etnike.