Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj vozitësit B.R të një autobusi të kompanisë “B”.

Në këtë aktgjykim thuhet se i akuzuari-vozitësi në pikëkalimin kufitar me Merdaren kishte tentuar të mashtroi zyrtarin policor.

Kur polici kishte hyrë në autobusin që vinte për në Kosovë për kontrollim të dokumenteve të udhëtarëve, i akuzuari i kishte dhënë dokumentin e tij personal bashkë me 10 euro në të, transmeton Indeksonline.

Zyrtari policor e kishte pyetur se për çfarë janë ato, i akuzuari-vozitësi i kishte drejtuar me fjalët “Merri për një kafe”.

Polici e kishte ndaluar të akuzuarit dhe e kishte raportuar rastin duke njoftuar përgjegjësin e ndërrimit.

Më këtë veprim, vozitësi ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, sipas Gjykatës.

Për këtë vepër penale, gjykata sot i ka shqiptuar dënimin me kusht prej tre muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej një viti nuk kryen ndonjë vepër penale tjetër, transmeton Indeksonline.

Ndërsa, i është shqiptuar paushalli gjyqësor prej 30 eurove në afat prej 15 ditësh nga dita e këtij aktgjykimi.

Vozitësi në seancë gjatë deklarimit të tij lidhur me fajësinë kishte deklaruar se këtë e kishte bërë pa vullnet dhe pa presion, duke mos menduar për pasojat.

B.R para trupit gjykues kishte deklaruar se arsyeja pse i kishte ofruar 10 euro policit ishte se vetëm një herë në javë udhëton me kompaninë dhe se në pikat kufitare me shtetet e tjera në Serbi nuk i lejojnë të kalojnë pa dhënë të holla policëve.

Sipas tij, me mendimin që polici ishte serb e jo shqiptar i kishte ofruar të hollat, pasi që edhe ata e flasin shqipen mirë.