Të përballur me kushte të rënda të jetës, shumë prindër nga komunitetet pakicë në Kosovë zgjedhin të mos u ofrojnë fëmijëve të tyre shkollimin fillor i cili është i obliguar me ligj. Ministria shpalos projektet për ta zbutur gjendjen e krijuar ndërsa organizatat e shoqërisë civile po dalin në teren për të folur me banorët që t’u shpjegojnë rëndësinë që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë.

Mesdita është koha kur R. Të niset për në shkollë, por në një të premte qershori, kjo kohë e gjen atë në rrugë duke lozur me disa bashkëmoshatarë në rrugën e lagjes së saj në Fushë Kosovë.

Tetëvjeçarja kishte nisur klasën e parë të shkollës fillore në vitin 2016, por e kishte ndërprerë pas pak muajsh.

“Unë nuk jam në shkollë, nuk e di pse, këtu luaj çdo ditë më çikat”, thotë ajo duke shprehur habinë pse pyetet për këtë gjë.

“Nana më ka thanë që kur të rritet vllau im, do të shkojmë bashkë në shkollë”, vazhdon tregimin ajo.

Shumë fëmijë si ajo shihen në lagjen 029 që nuk është më larg se një kilometër nga qendra e qytetit të Fushë Kosovës.

Fatin e njëjtë si të R., e kishte pasur edhe 16 vjeçari B. Ai tregon se shkollimin e ndërpreu në klasën e tretë.

“Jam nalë prej shkollës në klasën e tret, baba dhe nana më kanë nalë”, tregon ai teksa kujton se ende nuk ka harruar të shkruajë e të lexojë, ndonëse e pranon që ka problem gjatë leximit.

Shumë fëmijë të tjerë të komunitetit rom në Fushë Kosovë kanë pasur fatin e keq sikur R. dhe B. Situata e rëndë ekonomike e tyre është arsyeja kryesore pse prindërit zgjedhin t’ua ndërpresin fëmijëve mësimin.

Avni Mustafa, prind i dy fëmijëve, thotë se ka qenë i detyruar t’ia ndërpresë vajzës shkollimin për shkak se nuk ka pasur kushte ekonomike.

“Unë i kam dy fëmijë, çika e madhe ka shkuar vetëm tre muaj në shkollë sepse nuk kam pasur pare me ja vazhdu më shumë”, thotë ai sado që është i vetëdijshëm se shkollimi për fëmijët e tij do t’u sillte atyre një të ardhme më të mirë.

“Pa shkollim nuk ka jetë, nuk gjen punë të mirë, unë e di se është shumë mirë me shku në shkollë, po na nuk kemi kushte për me vazhdu shkollimin për fëmijët”, thotë Avni Mustafa, pjesëtar i komunitetit rom që jeton në Fushë Kosovë.

Jo shumë kilometra larg kësaj lagjeje, në një vendbanim tjetër të komunitetit rom, ashkali e egjiptas në fshatin Plemetin të Obiliqit fëmijët dhe prindërit e tyre gjithashtu përballen me kushtetë rënda të jetës dhe vështirësi shkollimi.

S. është një fëmijë i kësaj lagje i cili ka ndërprerë shkollën shkaku i kushteve ekonomike. Ai ka kohë që nuk shkon në shkollë.

“E kam ndërpre shkollën, jam në klasë të dytë, 7 vjeçar, mësuesja më ka kërkuar disa herë të kthehem por për shkak te kushteve të vështira në shtëpi, nuk mund të shkoj”, thotë ai.

Një tjetër fëmije i po kësaj lagje është H., 14 vjeçar i cili ka më shumë se një vjet e ka lënë shkollën dhe se nuk është interesuar për të.

“Nuk vijoj mësimet në shkollë ngase jam në gjendje shumë të vështirë financiare. Isha në klasën e 7 por kam një vit që jam detyruar të mos shkoj në shkollë me shokët e mi, kisha edhe shokë shqiptarë. Më ka marrë malli për ta, nuk i kam parë që nga koha kur e kam ndërpre shkollën”, thotë H.

Në zyrën e OJQ-së “Nevo Koncepti” në Prizren posterët u bëjnë thirrje prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët në shkollë. Foto: Kallxo.com

Sherife Haliti është nënë nëntë fëmijëve të cilët duhet t’i risë me një ndihmë sociale mujore prej 130 euro.

Ajo tregon pse u detyrua t’ia ndalojë shkollimin djalit të saj 14 vjeçar.

“Në fillim nuk ka shkruar disa herë por tash e ka ndërpre krejt. Nuk ka libra as fletore madje nuk ka as çka të mbathë. Librat e çantat i ka marrë nga shkolla por fletore e tesha jo”, thotë ajo.

Vetëm tetë nxënës të komunitetit rom ndjekin shkollimin në shqip

Se numri i vogël i fëmijëve të komunitetit rom që vijojnë shkollimin fillor e konfirmon edhe drejtoresha e shkollës fillore “Selman Riza”, Remzije Bogujevci.

Në një bisedë për BIRN, ajo thotë se vetëm tetë nxënës të komunitetit rom vijojnë mësimet në këtë shkollë, që gjendët në qendër të qytetit të Fushë Kosovës, e që është edhe shkolla më e afërt me lagjet ku jetojnë pjesëtaret e komunitetit rom.

“Shkolla jonë numëron vetëm tetë nxënës të komunitetit rom. Të gjithë janë në klasën e parë, pra të gjeneratës 2017/18”, thotë drejtoresha Bogujevci.

Ajo tutje thotë se numri i fëmijë ve të komunitetit rom që fillojnë shkollimin çdo herë ka qenë më i madh, por ata gjatë rrugëtimit ndërprerjen shkollimin.

“Sipas bisedave që kam pasur me prindërit e nxënësve, mos vijimi i shkollimit është kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike. Te ne çdo herë ka fëmijë nga ky komunitet që fillojnë shkollimin, por gjatë kalesave ata e ndërpresin vijueshmërinë”, shton ajo.

Për të përmirësuar gjendjen e shkollimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, në komunën e Fushë Kosovës që nga viti 2008 është hapur një qendër për t’i ndihmuar ata në mësimin e shkrimit dhe leximit.

Rrahmon Stollaku nga organizata jo- qeveritare “Balkan Sunflowers, në një përgjigje përmes postës elektronike, e konfirmon se numri i romëve që ndjekin arsimin fillor nëpër shkollat ku mësohet shqip është i vogël, ndërsa tregon se çka ofron qendra që ai drejton.

“Vetëm tetë fëmijë të komunitetit rom e ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në komunën e Fushë Kosovës. Qendra jonë ofron mësim shtesë në gjuhën në të cilën shkollohen komuniteti rom, ndërmjetësim, furnizim me materiale shkollore, ushqim, aktivitete jashtë shkollore, kampi veror , aktivitet psiko sociale, aktivitet për prindërit etj”, thotë Rrahmon Stollaku.

Sipas tij, problem tjetër sa i përket shkollimit të komunitetit rom është edhe mos vazhdimi i shkollimit të mesëm nga ata që e përfundojnë atë fillor.

“Shumica e fëmijëve që vijojnë shkollimin fillor, më pastaj shumë pak prej tyre vazhdojnë shkollën e mesme”, përfundoi ai.

Në qytetin e Prizrenit, ku jeton një komunitet i madh rom, shifrat flasin për një përmirësim të situatës së vijueshmërisë së shkollimit nga fëmijët e këtij komuniteti.

Osman Osmani, Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së “Nevo Koncepti” në këtë qytet, e cila merret me çështje të avokimit të përfshirjes së fëmijëve në arsimim, thotë se ndryshimet pozitive po vërehen nga viti në vit.

Gjatë majit, organizata që drejton Osmani ka qenë e angazhuar në fushatën për vetëdijesimin prindërve dhe fëmijëve të këtij komuniteti për regjistrim në edukimin parafillor dhe fillor përmes shpërndarjes së broshurave dhe vizitave derë më derë nëpër familjet rome në Prizren.

Hapja e një universiteti publik disa vjet më parë në Prizren, si duket ka ndikuar pozitivisht në ambiciet e të rinjve romë për vazhdim të shkollimit.

“Në komunën e Prizrenit kemi mbi 100 studentë që studiojnë dhe mbi 30 kanë diplomuar në Universitet në këto 10 vitet e fundit”, thotë Osman Osmani në zyrën e organizatës në të cilën posterët e ngjitur nëpër mur tregojnë për domosdoshmërinë që kjo çështje të vazhdojë të ngritet edhe më tej.

“Rreth 85-90 përqind e fëmijëve janë të kyçur në arsimimin e obliguar. Ekziston ndryshimi pozitiv dhe mund të them që vetë komuniteti dhe organizatat e ndryshme e donatorët kanë punuar dhe kanë ndikuar që ta arrijmë këtë… Para më shumë se një dekade, vijueshmëria në shkollë ka qenë jo më shumë se 30 përqind”, thotë Osmani.

Por ai thotë se banorët dhe institucionet nuk duhet të kënaqen me këto shifra.

“Përqindjet nuk duhet të na kënaqin dhe duhet të vazhdojmë të punojmë por ajo që është e rëndësishme është mbështetja e të rinjve, fëmijëve që ta përfundojnë shkollimin dhe të bëhen të aftë për tregun e punës”, thotë Osmani.

2002 fëmijë rom ndjekin shkollimin parauniversitar

Numri i fëmijëve rom që këtë vit janë pjesë e arsimit para fillor dhe ati të mesëm të lartë në shkollat publike në Kosovë arrin vetëm në 2002. Kështu bëhet e ditur në të dhënat e Ministrisë s Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT).

Sipas këtyre të dhënave vetëm 10 fëmijë të komuniteti rom ndjekin arsimin parashkollor. Numër më i madh është në atë para fillor, gjithsej 103 ndërsa në atë të fillor ndjekin mësimet 1733 fëmijë.

Vetëm 156 fëmijë të komunitetit rom aktualisht ndjekin mësimet në arsimin e mesëm.

Gjendje e ngjashme paraqitet edhe në nivelin universitar. Në nivelin bachelor studiojnë vetëm 11 studentë rom ndërsa në atë nivelin Master vetëm 1.

Numri i fëmijëve rom që do të do të shkollohen në Kosovë mund të rritet vitet në vazhdim. Kjo pasi MASHT thotë se ka paraparë një strategji që synon integrimin më të madh të tyre.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Planin Strategjik të arsimit në Kosovë 2017/2021 ka të planifikuar integrimin, rritjen e përfshirjes dhe shumë aktivitete lidhur me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithashtu Divizioni për Arsimin e Komuniteteve përveç PSAK 2017/2021 i MAShT-it realizon edhe zbatimin e Strategjisë për përfshirjen e komuniteteve rom dhe ashkali në shoqërinë Kosovare, komponenten e Arsimit nga ky dokument i zyrës për qeverisje të mirë në zyrën e kryeministrit.”, thuhet në përgjigjen MASHT.

Ministria e Arsimit thotë gjithashtu se për këtë komunitet organizohen edhe mësime në gjuhën e tyre ndërsa tha se hartuar plan programe për Gjuhë dhe Kulturë Rome për klasat 2 deri 9.

“MASHT respektivisht Ligji për arsimin parauniversitar ofron mundësi te barabarta për arsimimin e te gjithëve pa dallime. Komuniteti rom kryesisht vijon mësimet ne gjuhë shqipe, një numër i tyre ne komunat me shumicë serbe vijojnë mësimet në gjuhë serbe dhe gjithashtu nxënës të ktij komuniteti vijojnë mësime edhe në gjuhët tjera në të cilat organizohet mësimi në Republikën e Kosovës. Pra gjithpërfshirja është një ndër komponentat kryesore të MASHT.”, thonë nga MASHT.

Formimi i ekipeve të veçanta për parandalimin e braktisjes së shkollës, bursa dhe mësim plotësues janë vetëm disa nga format që Ministria e Arsimit përdor për integrimin në arsim të komuniteteve në Kosovë.

Përveç kësaj, MASHT tha se ka formuar edhe ekipe për parandalimin e braktisjes dhe mos regjistrimit në shkolla – ne nivel komunal dhe shkolle.

Ministria gjithashtu tha se në bashkëpunim me drejtoritë komunale të arsimit organizon mësim plotësues për nxënësit e riatdhesuar për të gjithë pa dallime dhe, në në bashkëpunim me partneret dhe donatoret ofron bursa për nxënësit e shkollave të mesme të larta të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian.

Drejtori i OJQ-së “Balkan Sunflowers Kosova”, Muhamet Arifi thotë se qëllimi kryesor i projekteve të tyre është ofrimi i kushteve për shkollim dhe integrim në shoqëri.

“Objektivi kryesor është të mundësojmë që fëmijët dhe të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptianë nga Kosova marrin pjesë në mënyrë të barabartë me moshatarët e tyre në shkollë dhe t’u mundësojë të rinjve nga këto komunitete që të bëhet shembuj dhe lider të rinjë, duke krijuar një masë për përfshirje, dhe kapacitete për të kërkuar të drejta të barabarta dhe përgjegjësi”, ka thënë Arifi.

Kjo organizatë vepron në katër qendra ndërsa programet të cilat i ofron janë programi parashkollor (mosha 5 – 7 vjeçare), klubi gjuhësor (klasa 1 dhe 2), ndihmë për detyrat e shtëpisë (klasat 1 – 9), programi veror, programi i Tutorimit (vullnetarizmit), programi për zhdukjen e analfabetizmit të grave dhe programi i Rrjetëzimit.

Veç komuniteteve rom, shkali e egjiptian përfitues të programeve janë edhe fëmijët shqiptar, serb, goran e turk.

“Ne punojmë me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ndërsa përfitues të programeve tona janë edhe fëmijët shqiptarë, serbë, goranë, turq”, ka thënë Arifi.