Sot në sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës është mbajtur seancë e rregullt, njofton Llapi.info

Në këtë seancë ku në rend të ditës ishin katër pika, është miratuar mes kundërshtimesh, nga pozita e opozita Korniza Afatmesme Buxhetore në Podujevë.

Me përkrahjen e asamblistëve të LDK-së, Korniza Afatmesme Buxhetore 2019 – 2021 u miratua në kuvendin komunal.

“Grupi i LDK-së e përkrahë në parim këtë kornizë, duke i dhënë disa vërejtje e lëshime të bëra” ka thënë Avni Fetahu.

Ndërsa, Doruntinë Hasani nga LVV këtë e kornizë e ka quajtur të gabuar.

“Korniza afatmesme e buxhetore duhet të ndërtohet në mbështetje të zhvillimit të prioriteteve strategjike që duhet të paraqiten në planin zhvillimor lokal të komunës. Korniza afatmesme buxhetore duhet të jetë në mbështetje të arritjes së synimeve zhvillimore të komunës e ne këto synime nuk i kemi në dokumente profesionale të aprovuar në asamble komunale. Do të thotë si përfundim rruga deri te kjo kornizë afatmesme buxhetore ka qenë e gabuar dhe rezultati patjetër që nuk është ai që duhet të jetë” ka thënë ajo.

Sipas saj, Korniza afatmesme buxhetore e Komunës se Podujevës për vitet 2019-2021 si një projeksion i të hyrave dhe shpenzimeve ka probleme në të dyja anët.

Ndërsa, këshilltarët nga PDK e kanë kundërshtuar këtë kornizë, duke i paraqitur edhe vërejtje e kritika për punët të cilat nuk janë kryer që një kohë të gjatë.

Në po këtë seancë u miratuan edhe pikat tjera të ditës e të cilat ishin: Propozim Statuti për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Komunës, Propozim Plani vjetor i punës së Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB në Podujevë për vitin 2018 si dhe Njoftimi i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë për zëvendësimin e përfaqësuesit të Bashkësisë Islame, në Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi – KKSB./Llapi.info