Trajneri i Llapit, Tahir Batatina vazhdon të besojë se skuadra e tij në fund të kampionatit do të shpallet kampion si dhe do të fitojë Kupën e Kosovës.

Deklaratat të tilla Batatian i kishte thënë edhe në fillim të kampionatit dhe deri me tani parashikimet e tij po dalin të sakta, pasi Llapi është në luftë për titull të kampionit si dhe në gjysmëfinale të Kupës.

Në një intervistë për Infokusi.com, trajneri i që ndryshoi Superligën për të mirë me punë profesionale, ka një mesazh goditës për skuadrat që e duan titullin.

“Dua të jem shumë i sinqertë se sa i përket titullit, ajo do të vendoset në fund të kampionatit sepse jemi shumë afër në tabelë. Por, porosia ime për skuadrat që i kemi pretendente për titull është se ky do të jetë viti i Llapit, kështuqë ato le ti presin vitet tjera për festë. Kësaj radhe do të festojnë ‘Legjendat” dhe qytetarët e Llapit”, u shpreh Batatina.

Ai nënvizoi se përderisa të jetë në krye të Llapit, asnjëherë nuk do të ketë synim tjetër, përveç titullit të kampionit dhe të gjitha sipas tij, do të arrihen me punë profesionale.

“Erdha nga Liga e Parë dhe ua hapa sytë se me punë dhe profesionalizëm arrihen sukseset dhe kjo më së miri flet tabela ku jemi”, shtoi trajneri i llapjanëve.

I pari i shtabit teknik të llapjanëve, u shpreh më tej se skuadra që ai drejton nuk i frikësohet asnjë kundërshtari.

“Llapi nuk i frikësohet asnjë skuadre pasi që në fillim kam besuar në skuadrën time dhe në djelmoshat që unë i udhëheq dhe qysh në fillim ju kam bërë me dije se Llapi do të jetë arrë e fort për cdo skuadër në Superligë dhe tash ende ma të fuqishëm do të na presin sepse jemi kandidatë në dy fronte, titullin dhe Kupën, kurse rivalët e Llapit na shikojnë duke luajtur për Kupë, ajo ka rendësi te skuadra e Llapit në aspektin motivues”, deklaroi Batatina.

Batatina ka folur për fazën e tretë të garave dhe për ndeshjen e javës së 23-të kundër Dritës.
“Faza e tretë besojë se është faza e skuadrës së Llapit për të arrit synimin. Ndeshja e radhës për ne do te jetë si çdo ndeshje ku ne do te japim maksimumin në teren sepse tash për ne çdo ndeshje do të jetë finale, por ne kërkojmë pikët e plota të mbesin në Llap dhe jemi shumë të motivuar me orarin e xhiros se tret”, theksoi trajneri i Llapit.

Llapi, pas 22 xhirove të luajtura, renditet në pozitën e tretë me 36 pikë, pesë më pak se Hajvalia dhe Feronikeli që renditen në pozitat një, respektivisht dy.

Ndërkaq, deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe 11-të xhiro dhe lufta për titull është e hapur.
Përveç titullit, Llapi është në gjysmëfinale të kupës ku do të takohet me Prishtinën./Infokusi.com/