Qindra mësimdhënës të Kosovës janë duke i shijuar pushimet verore në Shqipëri.

Këto pushime të rreth 450 mësimdhënësve i kanë kushtuar SBASHKU-t hiç më pak se 54 mijë e 240 euro.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës, Rrahman Jashari, ka thënë se janë duke qëndruar në një nga hotelet më luksoze në Durrës.

“Në tërësi numri arrin në 452 mësimdhënës. Këshilli Drejtues e ka caktuar një linjë të veçantë për pushime dhe rekreacion. Sivjet në çdo 60 anëtarë ka shkuar një pushues… SBASHKU-t, një pushues në deti për pesë ditë pushimi dhe gjashtë netë i kushton 120 euro, përfshirë edhe biletën e autobusit”, ka thënë Jashari.

Kreu i SBASHK’ut deklaroi se këto pushime të mësimdhënësve kosovar i kanë ndarë në tri grupe.

“Për shkak të akomodimit të mirë edhe në marrëveshje me hotelin i kemi ndarë pushuesit në tri grupe, që mos të shkojmë në të njëjtën kohë për arsye edhe të menaxhimit. Grupi i parë e ka përfunduar. Grupi i dytë ka qenë me datë 27 dhe e ka kryer pushimin dhe tani jemi në grupin e tretë. D.m.th. të premten diku 140 punëtorë të arsimit e përfundojnë këtë aktivitet. Unë jam me ta. Kam ardhur t’i vizitoj. Kam vizituar edhe grupi e dytë”, ka thënë ai për infokus. Përkundër faktit që janë në pushime, Jashari nuk heq dorë nga kërkesat drejt Qeverisë.

Ai ka thënë se shtesat e tyre do i kërkojnë edhe përmes Gjykatës.

“Faji ynë nuk është se po ndërrohen qeveritë shpesh. Ne në qeverinë e kaluar e kemi paraqitur kërkesën për shkak të shtimit të punës, ku kolegët detyroheshin të zëvendësonin koleget e prekur me COVID, ku ishte shtuar volumi i punës, Madje kishte edhe rrezik, sepse sistemi arsimor ishte më i rrezikuari. Dhe ne kërkuam që edhe shëndetësia dhe policia të ndihmohet. Ne kishim bërë kërkesë në MASHT dhe në Qeveri. Qeveria Hoti e kishte pranuar kërkesa tonë dhe kishte vendosur mbështetje financiare. Po, çka ndodhi? Ndodhi që një mbështetje e morën arsimtarët, por mbështetjen tjetër jo. Kështu ne kemi marrë nënshkrimet dhe autorizimet e tyre, ku juristi ynë do ta dorëzojë kërkesën në Gjykatë, qëllimi ynë ishte të mos krijojmë problem enë fund të vitit”, shton ai.

Jashari shprehet i sigurt se do i marrin këto shtesa.