Mësimdhënësja e shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, Elena Stublla, refuzoi të premten t’i bashkohej protestës së Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë e Kulturë (SBASHK). Stublla që nuk e bojkotoi mësimin, e vetmja në shkollën “Dardania”, hodhi akuza të rënda drejt udhëheqësisë së SBASHK-ut.
Sipas Stubllës, historikisht protestat e SBASHK-ut kanë qenë të organizuara politikisht.
“Historikisht, protestat dhe grevat janë politikisht të organizuara dhe gjithmonë në dëm të mësimdhënësve. Asnjëherë nuk i ka mbrojtur mësimdhënësit. Kujtojmë që në kohën kur ishte kryeministër Ramush Haradinaj, Rrahman Jasharaj bëri një marrëveshje ku u injoruan mësuesit dhe përfituan arsimtarët. Nuk mund ta përkrah dikë kur turmën e udhëheqin injorantët e asaj kohe”, ka thënë Stublla në “60 Minuta” të KTV-së.
Mësimdhënësja mendon se gjysma e protestuesve të sotëm nuk e dinë për çka kanë protestuar, pasi sipas saj, “janë përdorur si vegël për çështje politike”.
“Më shumë se gjysma e protestuesve nuk e dinë për çka kanë dalë në protestë. Është legjitime të protestosh, por jo të përdorësh si vegël për çështje politike. Jam e vetëdijshme që nuk mund t’ia dalë një mësimdhënës me pagat që ka. Por kërkesat nuk janë të strukturuara mirë. Nëse do të ishte dikush tjetër në krye të SBASHK-ut, protesta do të ishte edhe më masive. Nuk duhet të lejojmë që injorantët dhe analfabetët të merren me problemet tona”, ka thënë Stublla, e cila shtoi se edhe disa kolegë të saj janë pajtuar me të, por nuk kanë dalë në mësim sikurse ajo. “Ndoshta kanë pas qejf të pushojnë”.
Ndërsa, kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, ka thënë se inatet mes Qeverisë dhe Sindikatës po u faturohen fëmijëve të tyre.
“Nuk mund të flas për një qëndrim të unifikuar, por shumica kanë qenë të pakënaqur. Punëdhënësi dhe punëmarrësi duhet t’i kryenin me përgjegjësi punët e tyre, që të mos vijë në degradim të tillë të sistemit arsimor. Protesta e sotme nuk e përmirëson apo përkeqëson më shumë gjendjen në sistemin arsimor. Faji i përgjegjësisë është i Qeverisë për këto 20 vjet, dhe nuk po shohim sinjale për ndryshim. Sipas informacioneve që kemi, akterët e përfshirë kanë kaluar në nivel të inateve. Këto inate i faturohen fëmijëve tanë në ndërprerje të herëpashershme të procesit mësimor. Ne si prindër do duhet të qëndrojmë në nivelin e përgjegjësive, e që janë të mangëta aktualisht. Qeveria ose duhet ta respektojë legjislacionin aktual të mbajë dialog me Sindikatën, ose ta ndryshojë legjislacionin të mos lejojë greva”, ka thënë Demi.
E Salie Osmankaq, prind, ka thënë se ndërprerja e mësimit është e paarsyeshme për secilin prindër.
“Ndërprerja e mësimit është e paarsyeshme për secilin prindër. Jemi të pakënaqur. Ne duket se jemi bërë imun ndaj grevave, kërkesave të tyre për rritje page, ndërsa në arsim ka pafund probleme, që duhet të jenë prioritet për mësimdhënësit, të cilët po i vuajnë pasojat e kësaj e jo vetëm prindërit e nxënësit. Është zor e menaxhueshme ora mësimore me 40 nxënës në klasë. Për këtë duhet të protestohet, jo vetëm për paga”, ka thënë Osmankaq, e cila ka thënë se paga aktuale e mësimdhënësve nuk është e dinjitetshme.
Qindra punëtorë nga qytete të ndryshme të Kosovës u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për të protestuar për kërkesat e tyre, përfshirë edhe SBASHK-un. Ata kërkonin nga 100 euro shtesë në paga çdo muaj, deri në miratimin e ligjit për paga.