Është mesditë e fillimtetorit dhe dy muzikante, duke respektuar distancën, po i ushtrojnë zërin e frymëmarrjen në klasën numër “31”, në Fakultetin e Arteve – Dega e Muzikës, në Prishtinë.

Tynde Gajdosh, muzikante me origjinë hungareze që jeton në Gjermani, po i jep këshilla njërës prej studenteve të solokëndimit. E pyet nëse e kupton se për çfarë bën fjalë aria që po e këndon dhe e këshillon ta pasurojë me një dozë “flirti” performancën e saj, shkruan KOHA.

Në masterklasën e mbajtur në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “DAM”, Gajdosh ka trajnuar një nga një zërat e së ardhmes operistike kosovare. Për shkak të pandemisë, ushtrimet i ka mbajtur veç e veç me secilin. Mexosopranoja e skenave botërore, kur e mori ftesën të vinte në Prishtinë, pa menduar shumë e dëgjoi zemrën dhe tha “po”. Ani pse në kushte pandemie. Edhe ashtu lidhja e saj me Kosovën është e veçantë. Në vitet ’80, për katër vjet ishte shtëpia e saj.

Pasi finalizon masterklasën, “sakrifikon” kohën e drekës për ta shpalosur rrëfimin e saj. Rikthimi në Prishtinë, thotë Gajdosh, është gjithherë një përvojë e veçantë. Dhe për këtë ka shumë arsye.

Rikthimi në Prishtinë

Tynde Gajdosh, me origjinë hungareze, u lind në Vojvodinë. Filloi trajnimet për solokëndim që nga mosha 13-vjeçare dhe u diplomua në shkollën e muzikës “Isidor Bajiq” në Novi-Sad, në drejtimin e solokëndimit. E më pastaj, studimet i vazhdoi në Akademinë e Muzikës në Prishtinë, me profesoreshën Juliana Anastasijeviq. Në vitin 1988 i përfundoi studimet dhe në vitin 1990 shkoi në Gjermani, ku përfundoi studimet pasuniversitare në Musikhochschule, në Münster, në vitin 1998.

“Është shumë emocionuese të jem këtu, sepse unë kam studiuar këtu. Dhe studentët janë shumë të mirë, duan të mësojnë, kanë zëra shumë të mirë”, thotë Gajdosh.