Këshilli i Ministrave të BE-së sot ka miratuar në lexim të parë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës.

Heqja e vizave për Kosovën do të zbatohet që nga data kur Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para, raporton Gazeta Express.

Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Europian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.

Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard, vendi i së cilës udhëheq Presidencën e BE-së, lavdëroi progresin e Kosovës.

“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha të vazhdojë të jetë i frytshëm”.