Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot punimet e deritanishme të rrugës nacionale Podujevë-Prishtinë, punime që kanë nisur para rreth katër vjetëve, njofton Llapi.info.

Abdixhiku në këtë vizitë ka thënë se Qeveria Kurti e ka në prioritet këtë rrugë, madje edhe duke ndarë mjete shtesë për dinamikën e zhvillime të punimeve.

Nga këtu, ministri Abdixhiku tregoi se është bërë planifikim i ri financiar duke u ndarë mjete shtesë dedikuar këtij projekti në buxhetin e vitit 2020, me qëllim të zhvillimit të dinamikës së re të punimeve, që do të përshpejtojnë përfundimin e tyre.

Ai theksoi se njëjtë do të veprohet me të gjitha projektet madhore që janë në proces në mbarë Kosovën, ndërsa të rejat do të fillojnë vetëm kur të përfundojnë projektet e vjetra.

“Për qeverinë dhe mua si ministër rruga dhe përfundimi i rrugës në fjalë do të jetë prioritet i pakontestueshëm në buxhetin e vitit 2020 do të ndajmë mjete shtesë për të vazhduar punimet me intensitet dhe dinamik të re. Ideja është që të përfundojë rruga me katër korsi deri në Besi dhe të vazhdojë deri në Bërnicë, sepse ky qytet është ndër rrugët më të frekuentuara që ka Kosova. Prioritet do t’u japim edhe rrugëve tjera që janë duke shkuar do t’i përfundojmë këto projekte të tanishme sa më shpejt të jetë e mundur dhe nuk do të nisim asnjë projekt tjetër pa përfunduar projektet madhore që ka Kosova”, ka thënë ministri.

Më tej, Abdixhiku e ka quajtur të papranueshme se si Podujeva me mbi 100 fshatra dhe banorët e kësaj ane kanë mbetur të neglizhuar për këtë rrugë.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku vizitë këtyre punimeve i ka bërë nën shoqërimin edhe të ministrit të Brendshëm, Agim Veliu./Llapi.info