Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha dhe komandanti i kësaj force, Rrahman Rama pritën sot në Ministri, komandantin e Operacioneve Speciale të NATO-s, nën-admiralin Colin J. Kilrain.
Fillimisht, Berisha dhe komandanti i Operacioneve Speciale të NATO-s biseduan mbi situatën e sigurisë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, si dhe u bisedua për kapacitetet institucionale të vendit në fushën e sigurisë, me theks të veçantë mbi zhvillimin, profesionalizimin, avancimin si dhe bashkëpunimet e FSK-së me shtetet anëtare dhe atyre partnere të NATO-s.
Gjithashtu, ministri i FSK-së njoftoi zyrtarin e lartë të NATO-s për misionin, detyrat, kapacitetet dhe angazhimin e Forcës për integrimin e komuniteteve, në veçanti të komunitetit serb, pastaj integrimin e gjinisë femërore si dhe angazhimin në rritjen e shkallës së ndërveprueshmërisë me institucionet emergjente vendore ashtu edhe ato nga vende partnere. Më pas z. Berisha i shprehu mysafirit të lartë nga NATO-ja gatishmërinë operacionale dhe profesionale të FSK-së, që me disa kapacitete specilistike të marrë pjesë edhe në misione paqeruajtëse për të dhënë kontribut në ruajtjen e paqes kudo që ka nevojë.
Ndërsa në takimin e Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama me komandantin e NATO-s për Operacione Speciale, nënadmiralin Colin J. Kilrain u bisedua për ngritjen, zhvillimin, profesionalizimin, shkollimet trajnimet, pjesëmarrjen në ushtrime të përbashkëta qoftë në rajon e më gjerë, e gjithashtu edhe mbi të arriturat në ngritjen e shkallës së ndërveprueshmërisë së FSK-së me ushtritë e rajonit.