U.D. i Ministrit të Ambientit, Fatmir Matoshi, ka thënë  se shenjat në Vllahi e Shalë të Bajgores janë vendosur nga Agjencia Kadastrale e Kosovës për orientim gjatë aerofotografimit që do të ndodhë në tetor. Ministria ka bërë thirrje të mos dëmtohen këto pika për shkak se mund të pengojnë projektin e aerofotografimit.

“Këto janë shenja të vendosura nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Me qëllim të realizimit të auerofotografimit. Nuk kanë të bëjnë asgjë me kufirin, shenja të tilla ka në gjithë Kosovën, në Pejë, Gjilan e Prishtinë”, ka thënë Ministri Matoshi.

Edhe u.d i Kryeshefit të Agjencisë Kadastrale, Avni Ahmeti ka konfirmuar se këto shenja nuk kanë të bëjnë asgjë me kufijtë e Republikës.

“Ato pika janë vendosur për nevoja të projektit të aerofotografimit dhe vendosen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. I lusim të gjithë qytetarët të cilët hasin në këto lloje të pikave të mos i dëmtojnë sepse demtimi i tyre ndikon në kualitetin e projektit.  Një projekt i tillë është realizuar edhe në vitet e kaluara si në vitin 2001, 2004, 2009 dhe 2012. Për ta perfunduar, i njoftoj të gjithë qytetarët që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se ato pika nuk kanë ndërlidhje me pika kufitare”, ka thënë Ahmeti./G.Express