Bazuar në planin stërvitor, në zonën e maleve Jezercit, Regjimenti i Parë i Këmbësorisë sot filloi Stërvitjen Fushore “Iron 1 Alfa” i cili do të vazhdoi edhe në katër ditët e ardhshme.
Për të përcjellur nga afër demonstrimin e operacioneve stërvitore në ditën e parë, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj i shoqëruar nga komandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, shefi i Stafit të SHPFSK-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj dhe shefi i Departamentit G3/7 të SHPFSK-së, kolonel Ejup Maqedonci vizitoi pjestarët e angazhuar në vend-ushtrim.
Me këtë rast, ministrin Mehaj e priti komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, nënkolonel Albert Kuçi, i cili me stafin e tij prezantoi para ministrit informacionet e përgjithshme për Regjimentin e Parë të Këmbësorisë dhe Ushtrimin Fushor “Iron 1 Alfa”. Sipas tij, qëllimi kryesor i stërvitjes është testimi i gatishmërisë operacionale për operacionet e planifikuara sipas misionit të cilat do të demonstrohen në stërvitjen kryesore “Defender-Europe 21”. Më pas njësitet në fushëbetejë, sipas skenarit ekzekutuan operacionin “Kompania në sulm”, demonstrim i cili u vlerësua lart nga ministri Mehaj i cili para pjesëtarëve të angazhuar, shprehu impresionet e larta të tij për nivelin e lartë të profesionalizimit të demonstruar gjatë stërvitjes.
Pjesëtarëve të Regjimentit të Parë ju drejtua edhe gjeneral Hadërgjonaj, në prag të përfundimit të karrierës së tij aktive ushtarake, duke shprehur krenarinë që nën komandën e tij, Komanda e Forcave Tokësore me regjimentet e saj ka arritur këtë stad të lartë të profesionalizmit dhe gatishmërisë operacionale. Në fund gjeneral Hadërgjonaj, vizitën e ministrit Mehaj e vlerësoi lart, si shprehje të kujdesit me ndikim të madh në motivimin e duhur të pjesëtarëve të FSK-së për punë të suksesshme edhe në të ardhmen.