Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, e ka dënuar fuqishëm aktin e incidentit të ndodhur sot në ndërtesën e Agjencionit të Kosovës për Inteligjencë ku një person rreth të 40-ve mbeti i vrarë nga kolegu.
Në një prononcim të tij për klankosova.tv, Ministri Tahiri ka theksuar se reagimet ndaj sjelljeve abuzive në vendin e punës duhet të jenë të fuqishme për të parandaluar aktet e tilla.
”Si Ministër i Drejtësisë dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, dënoj fuqishëm aktin e incidentit që ka ndodhur sot brenda institucionit më të lartë të sigurisë në vend, AKI-së, i cili për pasojë la humbjen e jetës së një punonjësi. Reagimet tona kolektive ndaj sjelljeve abuzive në vendin e punës duhet të jenë të fuqishme dhe të na nxisin që të reflektojmë për masat parandaluese të akteve të tilla”.