Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka ndarë sot kohë nga agjenda e tij ditore për të takuar anëtarët e shoqërisë civile. Në një mëngjes pune, ministri Tahiri ka takuar disa nga përfaqësuesit më me ndikim të shoqërisë civile në vend.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Tahiri ka inkurajuar që shoqëria civile të jetë pjesë e agjendës për forcimin e sundimit të ligjit.
“Shoqeria civile në Kosovë është shtyllë e fuqishme e ndërtimit të shtetit demokratik, kontributi i së cilës ka ndikuar në qasje të reja në politikën publike, veçmas në fushën e sundimit të ligjit. Unë besoj dhe inkurajoj shoqerinë civile që të jetë pjesë e agjendës për forcimin e sundimit të ligjit në vend. Sot pata një mëngjes pune me përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku ndava me ta objektivat e mandatit tim dhe politikat që jemi duke i ndërmarrë ne rrafshin legjislativ. Me theks të veçantë diskutuam për pakon e ligjeve kundër korrupsionit, rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit dhe ndamë perspektivat tona konsensuale që duhet t’i kemi si shoqëri, për të rritur besimin në drejtësinë që zbatohet në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.