Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, sot ka prezantuar Projekt-Kodin e ri Penal të Republikës së Kosovës para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“Ky Projekt-Kod i Ri Penal është një prej akteve legjislative më të rëndësishme të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, i cili ka kaluar nëpër një proces jashtëzakonisht transparent, profesional dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Tahiri, njofton Klan Kosova.

“Ky akt legjislativ paraqet draftin e konsoliduar dhe progresiv, që në njërën anë adreson zgjidhjen e shumë problemeve konkrete me të cilat përballet shoqëria jonë siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar, ndërsa në anën tjetër, shënon një progres të lartë në sistemin e drejtësisë”, ka shkruar ai në Facebook.

“Prandaj, si ministër i Drejtësisë, shpresoj në mbështetjen dhe konstruktivitetin e anëtarëve të Kuvendit që të përkrahin këtë akt legjislativ, i cili përveç se do përmbushë kërkesat e Bashkimit Evropian për parandalimin dhe luftimin e dukurive negative si dhe nevojat e institucioneve të zbatimit të ligjit për parime të qarta dhe siguri juridike për qytetarët tanë, reflektohet drejtpërdrejtë edhe në procesin e liberalizimin të vizave”./Klan Kosova/