Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka propozuar lirimin nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të cilët janë të emëruar politikisht.
Kjo është bërë e ditur nga MPJD në një përgjigje për KALLXO.com.Sipas këtij institucioni, propozimet i janë përcjellë gjatë kësaj jave presidentes Vjosa Osmani.
“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm”, thuhet në përgjigje.Lidhur me këtë është paralajmëruar që ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme.