Ministria Rasim Demirit, ajo e Zhvillimit Rajonal, e cila qe formuar së fundmi me Qeverisjen Haradinaj, është kujdesur që të blejë telefona mobilë për nevoja të saj.
Për këtë qëllim, ministria shpenzoi mesatarisht 867 euro një të tillë.
Muajin e kaluar, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka iniciuar aktivitetin e prokurimit për t`u furnizuar me telefona mobilë. Sipas njoftimit për kontratë, ministria planifikoi të blejë gjithsej 5 telefona mobilë, raporton Kallxo.com.
Për blerjen e këtyre telefonave mobilë, ministria ka parashikuar vlerën e kontratës në 6 mijë e 600 eurove.
Blerja e telefonave mobilë është iniciuar me procedurën e koutimit, me kriter të dhënies së kontratës çmimin më të ulët.
Ministria e Zhvillimit Rajonal blerjen e telefonave mobil ua ka besuar kompanisë “Botek” me vlerë të përgjithshme të kontratës 4 mijë e 336 euro. Shumë kjo që përbën mbi 65 për qind të mjeteve që ministria kishte ndarë për këtë qëllim.
Vlera e përgjithshme e kontratës prej 4 mijë 336 eurove në raport me numrin prej 5 telefonave mobil sipas kërkesës në njoftimin për kontratë, rezulton se ministria shpenzoi mesatarisht 867.20 euro për një telefon mobil.
Së fundmi, ministria ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratën me operatorin ekonomik të rekomanduar për kontratë.