Ministria e Infrastrukturës përmes një kumtese për media ka dhënë sqarim për opinion publik, në lidhje me lajmin se një zyrtar i kësaj ministria merr pagë pa dalë fare në punë.
Ministri, Pal Lekaj ka thënë se ky zyrtar që merr pagë pa dalë farë në punë nuk është për shkakun se Ministria që ai udhëheq nuk angazhohet ose nuk i mbikëqyrë çështje të tilla, por, të njëjtin, për të cilët bëhet fjalë janë të angazhuar sipas marrëveshjes së vitit 2016, e nënshkruar në Bruksel.
“Ministri Lekaj i bënë me dije opinionit të gjerë publik, se nuk do të lejojë që këto dukuri të vazhdojnë kështu si kanë qenë, por do të ndërmerren hapa të nevojshëm që të gjithë ata që marrin paga nga Buxheti i Shtetit të jenë në krye të detyrës”, thuhet në sqarimin e Ministrisë.
Njoftimi i plotë i Ministrisë së Infrastrukturës:
Sqarim për opinionin publik nga
Ditëve të fundit, me të dalë në publik raporti i fundit i auditorit të jashtëm, bujë të madhe bëri “një zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, i cili po merr pagë pa dalë fare në punë”.
Ministri Lekaj, për opinionin publik sqaron se, kjo nuk ka të bëjë asgjë me mosangazhim dhe me mosmbikqyrje të Ministrisë, por të njëjtit, për të cilët bëhët fjalë janë të angazhuar sipas marrëveshjes së vitit 2016, e nënshkruar në Bruksel, për shuarjen e strukturave paralele “Rojave të Urës” dhe integrimin e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës, gjë që ka ndodhur bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, Nr.06/124, datës 19/04/2017, në të cilin vendim thuhet shprehimisht: “Aprovohet kërkesa e Zyres së Kryeministrit – Ministres pa portofol 1, për transferrin e stafit prej 50 (pesëdhjetë) zyrtarëve, si dhe mjeteve financiare,….,….., për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për shpërbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” dhe integrimin e personelit të saj në institucionet civile të Republikës së Kosovës”.
Ministri Lekaj, poashtu është duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë ligjore që i ka në kompetencën e tij për të anuluar ketë vendim dhe ose për të gjetur zgjidhje alternative, e cila do të bënte që të njëjtit të angazhohen konform kontratës që kanë nënshkruar me Ministrinë e Infrastrukturës, ashtu siç janë konfrom vendimit të lartëcekur edhe thuajse të gjitha Ministritë tjera të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në kohën kur kanë ndodhur këto, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë se Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), ka qenë, z.Besnik Osmani që sot është Drejtor i Zyrës Kombetare të Auditorit, kjo tregon që ndoshta, përveç atyre që e kanë nënshkruar ketë marrëveshje në Bruksel, më së miri e ka kuptuar z.Osmani ketë çështje dhe prandaj nuk është dashtë të dalë si çështje e keqmenaxhimit, por si një çështje me elemente politike për integrimin e komuniteteve brenda institucioneve të vendit.
Ministri Lekaj i bënë me dije opinionit të gjerë publik, se nuk do të lejojë që këto dukuri të vazhdojnë kështu si kanë qenë, por do të ndërmerren hapa të nevojshëm që të gjithë ata që marrin paga nga Buxheti i Shtetit të jenë në krye të detyrës.